AktualitetKosovaTë fundit

Vuçiç akuzon Prishtinën për provokim pas vizitës së presidentit të Kosovës në veri

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha të shtunën mbrëma se shfaqja e njësive të posaçme të policisë së Kosovën ne veriun e banuar me shumicë serbe është sulm mbi paqen, ndërsa u bëri thirrje serbëve lokalë që të heqin dorë nga bllokimi i rrugëve.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, shkoi të shtunën në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, në një vizitë të paparalajmëruar. Ai qëndroi edhe në liqenin e Gazivodës, që është edhe një nga pikat e nxehta të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në një deklaratë pas vizitës ai tha se “ishte një vizitë e zakonshme fundjave” ndërsa ritheksoi se “Kosova është një, e pandashme, e pavarur dhe shumetnike”.

Ai tha se bisedimet me Serbinë, që po zhvillohen në Bruksel, do të jenë për paqe dhe qëndrueshmëri, për njohjen e ndërsjellë Kosovë-Serbi dhe për ardhmërinë euroatlantike.

Por, vizita nxiti reagimin e zemëruar të Beogradit dhe serbëve lokalë të cilët në orët e mbrëmjes bllokuan rrugën që çon në vendkalimin kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në Bërnjak.

Të shtunën mbrëma, presidenti serb, tha se ka vënë ushtrinë në gjendjen më të lartë të gatishmërisë dhe “Serbia nuk nuk do të lejojë dhunë mbi serbët në Kosovë”.

Ai tërhoqi vërejtjen se “veprimi i sotëm ishte orvatje që nga Serbia të nxitet përgjigja që do të mund të shfrytëzohej për satanizimin e saj”.

Duke akuzuar Prishtinën për shkelje të marrëveshjeve të arritura në bisedimet në Bruksel dhe së synim i saj “është marrja e veriut të Kosovës”, ai kritikoi edhe forcat paqeruajtëse dhe Bashkimin Evropian për mosveprim.

Maja Kocijançiç, zëdhënëse e shefes së politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, tha se Bashkimi Evropian është në kontakt me të gjitha palët, përfshirë edhe NATO-m dhe ” si gjithmonë, llogarisim që të gjitha palët të reagojnë me qetësi dhe vetëpërmbajtje”.

Thirrje për qetësi dhe vetëpërmbajtje bënë edhe forcat e KFOR-it “pas raportimeve kundërthënëse rreth zonë së liqenit të Gazivodës”. Në një komunikatë të KFOR-it thuhet se “prania e mëhershme e policisë së Kosovës në atë zonë është konfirmuar dhe bëhet fjalë për policët e ngarkuar me sigurinë e zotit Thaçi, i cili po vizitonte zonën e Zubin Potokut”, thuhet në njoftim në të cilin nënvizohet se KFOR-i po mbikëqyrë situatën me patrulla dhe helikopterë.

Tre javë më parë liqenin e kishte vizituar presidenti serb Vuçiç, vetëm një ditë pasi kishte dështuar një raund i ri bisedimesh të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian

Një pjesë e liqenit artificial që është ndërtuar vitet e 80-ta, shtrihet në Serbi dhe ka rëndësi për furnizimin më ujë të termocentraleve të Kosovës dhe në muajt e verës edhe të disa komunave të Kosovës. përfshirë edhe kryeqytetin.