Kurti: Pavarësia të jetë liri për qytetarët në shtet të zhvillimit, e jo liri për pushtetarët në uzurpimin e shtetit
Me moton “Një popull s’i nënshtrohet një njeriu”, Lëvizja Vetëvendosje mbajti protestën në Prishtinë, ku kishte ftuar mbështetësit e saj dhe qytetarët në përgjithësi, që t’i kundërshtojnë politikat e presidentit Hashim Thaçi në dialogun me Serbinë dhe angazhimet e proklamuara për ndryshimin e kufijve.
Masa u tubu para Bibliotekës Kombëtare, për të vazhduar drejt qendrës së Prishtinës.
Turmës i priu lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti i shoqëruar edhe nga deputetët e këtij subjekti politik si dhe deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani dhe Haxhi Avdyli.
“Kjo është protesta e popullit të Kosovës kundër aventurave, akrobacioneve e lojërave të rrezikshme të këtij presidenti”, tha Kurti, ndërsa po i printe turmës.
Ai tha se presidenti Thaçi po bën gjeste e inskenime, të cilat sipas Kurtit mund të jenë komike, por me pasoja tragjike.
Pasi turma prej disa mijëra vetash marshoi nga Biblioteka Kombëtare në qendër të Prishtinës, fillimisht ukëndua himni kombëtar shqiptar.
Fillimisht foli deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Saranda Bogujevci, që rrëfeu për të kaluarën e saj dhe humbjen e 16 anëtarëve të familjes gjatë luftës së fundit. Bogujevci tha se angazhohet që qytetarët e Kosovës të trajtohen me dinjitet.
“Është derdhur shumë gjak për të ardhmen e Kosovës dhe sot nuk duhet të lejojmë që një njeri të vendosë për të ardhmen e këtij vendi”, tha ajo, duke iu referuar presidentit Thaçi.
Bogujevci tha se e kundërshton idenë e Thaçit për, siç tha ajo, “shkëmbim të territoreve”, duke potencuar se Kosova nuk i ka borxh asgjë Serbisë.
Fjalimet në binën e improvizuar, u ndërprenë shpesh me brohoritjet, “Poshtë Hashim Thaçi”, “E duam Luginën sa Prishtinën”, “Trepça është e jona”, “S’duam ndarje”, e brohoritje tjera.
Me brohoritje të shumta e duartrokitje u prit fjalimi i liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti. Ai iu drejtua protestuesve duke thënë se “ne jemi të zëmëruar si rrallë herë më parë, por edhe të bashkuar si rrallë herë më parë”.
“Pavarësia është dashur të jetë liri për qytetarët në shtet të zhvillimit, e jo liri për pushtetarët në uzurpimin e shtetit”, theksoi Kurti.
Qeveria po rritet, e shteti po na zvogëlohet, tha Kurti, duke ftuar qytetarët që të kundërshtojnë këtë fenomen.
“Kosova është shtet i kapur. Çlirimi nga okupatori i huaj, na u zëvendësua me zaptimin prej uzurpatorit tonë, i cili po bashkëpunon ngushtë e pa ndërmjetësues me atë okupatorin e huaj”, tha Kurti.
Ai kritikoi edhe politikat financiare, arsimore dhe ato në fushat e shëndetësisë, duke tërhequr vëmendjen se një gjendje e tillë po sjell si dukuri vullnetin e të rinjve dhe kuadrove kosovare për të lëshuar Kosovën.
“Me hajna nuk ka shtet”, tha Kurti, duke potencuar se shumica e popullatës sot ose është e varfër ose e papunë.
Me gjithë këtë gjendje të rëndë, Kurti tha se presidenti tani doli edhe me idenë e tij për kompromisin e dhimbshëm me Serbinë.
“Nëse kufijtë korrigjohen me dhimbje, ky nuk është korrigjim, por dhimbje e humbje për neve”, theksoi ai.
“Kosova nuk ndahet, pavarësinë nuk e negociojmë”, tha ai, duke iu referuar dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, që po zhvillohet në nivelin e presidentëve të dy shteteve.
Sipas tij, presidenti Thaçi duke thënë se Kosova i ka kufijtë e gabuar dhe nevojitet një korrigjim, ia mundësoi presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq që të vijë në veri të Kosovës për të promovuar jo vetëm ndarjen e Kosovës, por edhe politikën e Sllobodan Millosheviqit.
Duke iu referuar idesë për korrigjim të kufirit, Kurti foli në praktikë për idenë, sipas tij të Thaçit dhe Vuçiqit.
“Ne nuk pranojmë që për katër fshatra të Bujanocit dhe shtatë fshatra të Preshevës, që së bashku bëjnë 85 kilometra katrorë, të japim mbi 1000 kilometra katror në veri të Ibrit, ku i kemi Trepçën, Ujmanin e Majën e Pançiqit”, tha lideri i Vetëvendosjes.
“Shumë mbështetës e qytetarë sot kanë ardhur nga Tirana dhe qytete të ndryshme të Republikës së Shqipërisë në përkrahje të kauzës së kësaj proteste”, theksohet në njoftimin e këtij subjekti politik.
Protestuesit mbajtën në duar flamuj kombëtar shqiptarë dhe kanë brohoritur parulla kundër ndarjes së Kosovës.
“Kosova nuk e meriton këtë president”, ka deklaruar lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, duke bërë thirrje për largimin e tij.
Të premten, presidenti Hashim Thaçi kishte deklaruar se kjo protestë nuk është kundër tij, por, siç ka deklaruar ai, “kundër Luginës së Preshevës” dhe vullnetit të qytetarëve të tjeshëm për bashkim me Kosovën.
Paraprakisht, Vetëvendosje kishte informuar edhe autoritetet e rendit për mbajtjen e protestës duke bërë thirrje që gjithçka të shkonte qetë dhe pa incidente.
Protesta përfundoi e qetë dhe pa incidente të raportuara.
Fraksion.com