AktualitetBota+Të fundit

SHBA përplaset me Kinën dhe Rusinë rreth lehtësimit të sanksioneve për K.Veriore

Shtetet e Bashkuara janë përplasur me Kinën dhe Rusinë në Kombet e Bashkuara rreth thirrjes së këtyre të fundit për lehtësim të sanksioneve kundër Koresë Veriore.

Ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, ka thënë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara se “zhvillimet e fundit pozitive” në marrëdhëniet mes Koresë Veriore dhe asaj Jugore, të kombinuara me lidhje më të ngrohta në mes të SHBA-së dhe Koresë Veriore, duhet të rezultojë me lirim të disa sanksioneve, të cilat i ka miratuar Këshilli i Sigurimit vitin e kaluar, në mënyrë që ta ndëshkojë Phenjanin për programin e armëve bërthamore.

Rusia ka përkrahur thirrjen e Kinës për të rishikuar sanksionet, pas ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka thënë se ata nuk duhet të jenë pjesë e “ndëshkimit kolektiv”, dhe se sipas tij, tani është koha për të dërguar një sinjal pozitiv te Phenjani për të inkurajuar arritjen e marrëveshjeve.

“Hapat e verikoreanëve drejt çarmatimit gradual duhet të përcillen me lehtësim të sanksioneve”, ka thënë Lavrov.

Mirëpo Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo i përkrahur nga aleatët Perëndimorë, ka kundërshtuar zërat për lehtësim të sanksioneve, duke thënë se këto masa duhet të vazhdojnë të jenë të ashpra, derisa Koreja Veriore të marrë hapa konkretë për braktisjen e armëve bërthamore.

Pompeo, i cili do të zhvillojë vizitën e tij të tretë në Phenjan muajin e ardhshëm, ka shpresuar, për siç ka thënë ai, “agimin e një dite të re” në Gadishullin Korean.

Pompeo: Koreja V. po dështon të denuklearizohet

Megjithatë, ai ka thënë se kanë qenë sanksionet e ashpra të OKB-së që e kanë dërguar Korenë Veriore para tavolinës së negociatave, prandaj nuk duhet të ketë tani lehtësim të presionit.

“Zbatimi i sanksioneve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duhet të vazhdojë dhe nuk duhet të dështojë derisa të realizohet denuklearizim përfundimtar, i plotë dhe i verifikueshëm”, është shprehur ai.

“Anëtarët e këtij Këshilli duhet të vendosin shembull në këto përpjekje dhe ne duhet të mbajmë njëri-tjetrin përgjegjës”.

Ndërkohë që Kina dhe Rusia kanë pretenduar se Koreja Veriore është duke vepruar në linjë siç kërkojnë sanksionet, Pompeo ka thënë se verikoreanët kanë shkelur vazhdimisht ato dhe Phenjani veçse ka kryer fshehurazi importe të naftës.

Shtetet e Bashkuara i kanë prezantuar Këshillit, ato që i kanë cilësuar të dhëna për transferimin e produkteve të naftës në mes të anijeve në det, si dhe kanë akuzuar Korenë Veriore për eksport ilegal të thëngjillit për të krijuar fonde në programin bërthamor.

Trump: Denuklearizimi i Koresë Veriore nuk do të bëhet me nxitim

Uashingtoni ka akuzuar Rusinë për përfshirje në transferet ilegale të naftës, mirëpo Rusia dhe Kina janë bashkuar këtë verë për të ndalur masat që do të ndalonin shitjen e naftës në Phenjan, duke thënë se nevojiten studime më të detajuara për pretendimet amerikane.

Rusia ka ndaluar përpjekjet amerikane për ashpërsim të sanksioneve duke krijuar pengesa së bashku me Kinën edhe muajin e kaluar, pasi SHBA-ja ka propozuar që të vendosë në listë të zezë të OKB-së një bankë ruse dhe disa zyrtarë bankarë të Koresë Veriore me bazë në Moskë.

Lavrov e ka cilësuar “të papërshtatshëm” ndonjë hap nga ana e SHBA-së apo partnerëve të saj për të “ashpërsuar sanksionet” pasi sipas tij, Koreja Veriore ka marrë “hapa të rëndësishëm” drejt denuklearizimit.

Kjo mbledhje është mbajtur në kohën e mosmarrëveshjeve të mëdha tregtare në mes të Kinës dhe administratës së presidentit Donald Trump lidhur me tarifat tregtare.

Andaj si Rusia, ashtu edhe Kina kanë kërkuar nga Uashingtoni dhe Phenjani të zgjidhin konfliktet e tyre përmes diplomacisë.

Përfaqësuesit e Koresë Veriore kanë qenë pjesë e takimit në OKB, mirëpo nuk kanë kërkuar që të deklarojnë diçka në këtë çështje.

Përndryshe, Pompeo është takuar me homologun e tij verikorean, Ri Jong Hom më 26 shtator, duke i cilësuar bisedimet “shumë pozitive”.

Edhe presidenti Trump ka përshëndetur liderin verikorean, Kim Jong Un, një nga autokratët më shtypës në botë, duke thënë gjatë kësaj jave se negociatat që ai ka nisur me Korenë Veriore në muajin qershor kanë parandaluar luftën.

Trump është takuar me Kimin në samitin e parë të zhvilluar ndonjëherë në mes të dy shteteve.

Presidenti amerikan është duke synuar që të mbajë një tjetër samit me liderin verikorean, duke shpresuar se Pompeo do të organizojë këtë ngjarje kur të arrijë në Phenjan.

Pompeo ka thënë se Koreja Veriore do të ketë “të ardhme më të ndritur” nëse Kimi arrin të përmbushë premtimet që i ka dhënë Shteteve të Bashkuara për t’i dhënë fund programit të armëve dhe atij për raketa balistike.

“Mirëpo rruga drejt paqes dhe të ardhmes më të ndritur është vetëm përmes diplomacisë dhe denuklearizimit”, ka thënë Pompeo.

 

Fraksion.com