Kosovë: Në pranga dy deputet që kërcënuan prokurorët
Në dy raste të ndara dy deputet të kuvendit të Kosovës kërcënuan dy prokurorë. Të dy deputetët u arrestuan nga policia në dyshimet për “kërcënim”, publik.
Deputeti Shkumbim Demaliaj, ishte anëtar i Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranëve të luftës. Ai kishte përdorur një “kërcënim”, publik ndaj ish-prokurorit Elez Blakaj. Ky i fundit u largua nga Kosova muajin e shkuar dhe u vendos në SHBA-së për shkak të sic tha “kërcënimeve për shkak të hetimeve për listat e veteranëve të luftës”. Prokuroria speciale e Kosovës tashmë për rastin e veteranëve ka ngritur aktakuzë ndaj 11 anëtarëve të komisionit qeveritar, nën dyshimet për veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, në rastin e njohur në Kosovë si “veteranët”. Në mesin e të akuzuarve është ministri i FSK-së dhe zëvëndësministri i FSK-së, që të dy anëtarë të komisionit.
Një ditë më parë ndërkaq, policia e Kosovës arrestoi deputetin tjetër nga Nisma për Kosovën Milaim Zeka dhe një gjykatë në Prishtinë i caktoi atij masën e paraburgimit prej 30 ditësh. Deputeti Zeka, u arrestua të mërkurën (26.09)nën dyshimet për kërcënim ndaj prokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Afrim Shefkiu. Ky i fundit, ka ngritur aktakuzë kundër deputetit Milaim Zeka dhe dy personave të tjerë për veprat penale “mashtrim, shmangie nga tatimi dhe pastrim parash”.
Për kërcënimet që dy deputetët e kuvendit të Kosovës u bënë dy prokurorëve, ka reaguar Instituti Kosovar i Drejtësisë, (IKD) organizatë kjo që monitoron vazhdimisht sistemin e drejtesisë në Kosovë.
“Këto kërcënime publike nuk mund ta lënë të qetë sistemin e drejtësisë dhe kjo thjeshtë përbën ndërhyrje të drejtpërdrejtë në punën e tyre. Në fakt, ky është mesazhi më i keq që mund të vjen nga ata që janë të zgjedhur të popullit dhe që janë miratues të këtyre ligjeve që duhet t’i zbatojnë vetë prokurorët. Fakti që disa deputetë e marrin në dorë drejtësinë, duke kërcënuar se vetë do t’i qërojnë hesapet me prokurorë të caktuar, do të thotë që ata nuk e vlerësojnë dhe nuk e konsiderojnë të pavarur sistemin e drejtësisë, por që drejtësinë tentojnë ta bëjnë vet”, thuhet në reagimin e IKD-së.
Sidoqoftë, deri tash janë zhvilluar dy protesta të veteranëve të luftës kundër Prokurorisë Speciale, ku nga emrat e publikuar në medie, u tha se të paktën 20 mijë veteran janë “mashtrues”, si përfitues të pensionit. Në listat e publikuara kishte emra të vërtetuar se ishin veteran të luftës, mirëpo, për këto raste prokuroria tha se ata do të shqyrtohen një nga një dhe do të bëhet kërkesë që emrat e tyre të hiqen nga listat si “veteran mashtrues”. Një grup veteranësh nga rajoni i Dukagjinit pas një proteste i bënë ultimatum prokurorisë speciale që të heq nga aktakuza emrat e veteranëve të vërtetë dhe këtë ta bëjë brenda 10 ditësh. Ky ultimatum në mediet e Kosovës po cilësohet kërcënim i hapur ndaj prokurorisë speciale të Kosovës./Bekim Shehu, DW
Fraksion.com