Moda, të zbukuron por edhe të… vret!
Entela Resuli
Sa herë që dua të bëj një shkrim për tendencat e veshjeve në një stinë të caktuar thërras për ndihmë Anjeza Tufinën.
Vajza nga Tirana jeton në Itali ku edhe ka studiuar për Menaxhim Biznesi. Tufina ia ka dalë të hyjë në industrinë e modës jo vetëm në Milano, por tashmë në të gjithë botën. Ka shtatë vite që i është përkushtuar modës dhe blogut të saj, duke qenë tashmë një ndikuese e rëndësishme e markave që reklamon.
Ajo është një Fashion Blogger dhe ka arritur të ndërthurë më së miri ekonominë, industrinë e modës dhe markat e njohura.
Anjeza është me këmbë në tokë. Ajo është e informuar dhe e di shumë mirë se çfarë ndodh në industrinë e modës. Ajo nuk shikon vetëm anën e jashtme të punës së saj, por shkon edhe më tej, duke analizuar edhe efektet negative.
“Jam pjesë e një sistemi ku promovohet konsumimi, por e vërteta është që asnjë çantë ose veshje nuk do të të bëjë të lumtur për më shumë se 24 orë, pas asaj do të të lindi një dëshirë tjetër”- shprehet Tufina në këtë intervistë për Dita-n.
Jeta e një bloggere është e bukur, por ka edhe ajo prapaskenat e saj, të cilat Anjeza na i rrëfen në këtë
intervistë.
-Anjeza, nëpërmjet rrjeteve sociale të shohim vazhdimisht në lëvizje, cili ka qenë udhëtimi yt i fundit?
Këtë gusht që kaloi vendosa të qëndroja për herë të parë në Itali, sepse shpesh udhëtoj jashtë duke harruar që unë jetoj në një shtet ku miliona turistë e vizitojnë çdo vit. Pas udhëtimeve për punë që kam bërë gjatë gjithë vitit pushimet e mia i bëra në ishullin Origia në Sicili dhe pjesën tjetër në liqenin e Como-s.
Ishte hera e parë që shkoja me pushime në një vend vetëm 40 minuta nga shtëpia ime. Por m’u dha rasti të shijoja liqenin në një periudhë kur të gjithë janë dyndur nëpër plazhe, ndërsa unë dhe familja ime ishim të vetëm si Robinson Crusoe.
Ndërkohë që po flas me ty po përgatisë valixhen për në Montreal të Kanadasë ku do shkoj 10 ditë për punë. Edhe pse në Instagram jeta mund të duket si pushime pa fund, e vërteta është që udhëtimet për punë janë më pak relaksuese se ato që bëj vetë ku rregulli numër 1 është jo Instagram, jo rrjete sociale vetëm Kindle.
-Si ishte vera që sapo lamë pas për ty, me pushime, me punë, e ngarkuar apo e ke shijuar?
Vera për një influencer fillon që në Mars sepse për shumë udhëtime pune kanë të bëjnë me promovimin e vendeve turistike. Unë punoj shpesh me zyrat e turizmit të vendeve të ndryshme dhe në përgjithësi ato organizojnë udhëtime për blogger gjatë pranverës për të promovuar për sezonin e verës. Kjo verë që lamë pas ishte e ngarkuar me aktivitete por nuk do bëja këtë punë nëse nuk do e shijoja në maksimum, edhe pse si çdo pune ka ato prapaskenat stresuese qe nuk i ndajmë me publikun.
-Ngjyra që ke përdorur më shumë në verë, në veshje, pse?
Unë kam disa vite që kam një uniformë verore e përbërë me fustane të bardha, kjo sepse me siguri nuk kanë modë por shkojnë përherë. Për herë të parë kam filluar të vesh edhe të zezën për verë, kjo e frymëzuar nga paserelat. Edhe rrobat e banjës i kam pasur të bardha ose te zeza.
-Duket se një pjesë të rëndësishme tek ty po zë edhe natyra apo vendet interesante, pasi përpos veshjes na sjell gjithashtu edhe destinacione të cilat kanë çfarë të tregojnë. E plotëson vendi veshjen apo anasjelltas?
Më vjen mirë që paske vënë re këtë gjë, sepse është një gjë që e bëj vazhdimisht. Veshja plotëson vendin. Përpara se të udhëtoj shoh në internet vendin, arkitekturën, dhe ngjyrat dhe kërkoj të kem me vete veshje që i përshtaten ambientit.
-Anjeza, ti ke vite që bënë blogeren dhe e njeh mirë modën, vazhdon e shijon me të njëjtin intensitet këtë punë, ashtu si edhe në fillim?
E vërteta është që çdo punë ka një evolucion të sajin. Në fillim isha më lehtësisht entuziaste për këtë botë vezulluese në të cilën kisha privilegjin të hyja dhe të shikoja nga afër. Me kalimin e viteve dhe sidomos kur piqesh dhe informohesh mirë për industrinë për të cilën punon gjerat ndryshojnë pak.
Tani për mua moda nuk është vetëm fustane dhe çanta për të blerë. Duke punuar prej 8 viteve në këtë industri tani shoh shumë gjera të tjera, si për shembull faktin që është një nga industritë më ndotëse në planet me firma si Zara, H&M edhe të tjera që kanë bërë të mundur një mentalitet të konsumit kur veshja vishet një herë dhe pastaj hidhet duke krijuar kështu miliona ton plehra të panevojshme që shkatërrojnë planetin tonë.
Po të njëjtat firma janë ato që promovojnë vazhdimisht një imazh të një gruaje të fortë, të pavarur ndërkohë që mbajnë në skllavëri me mijëra gra të tjera në fabrikat e tyre në vendet e varfra me rroga qesharake dhe me kondita pune jo njerëzore. Vetëm pak vite më parë 1300 gra vdiqën duke qepur veshje për H&M, Mango dhe Benetton kur fabrika e tyre me 8 kate u shkatërrua sepse ishte ndërtuar pa ndjekur parametrat minimale të ndërtimit. Është vështirë të mbash një qëndrim feminist në jetë dhe të përqafosh industrinë e modës sidomos kur bëhet fjalë për Fast Fashion.
Vite më parë thoja shpesh që më fund moda është demokratizuar dhe çdo kush mund të vishet bukur duke miksuar Zara me Guçi, sot kam ndërruar mendje, sepse për t’u veshur mire unë edhe ti nuk duhet të paguajë dikush tjetër.
-Ka diçka që të mërzit apo të është bërë e bezdisshme?
Më mërzit fakti që njerëzit kanë filluar të bashkëngjisin blerjen e një çante me lumturinë e tyre. Jam pjesë e një sistemi ku promovohet konsumizmi por e vërteta është që asnjë çantë ose veshje nuk do të të bëjë të lumtur për më shumë se 24 orë, pas asaj do të të lindi një dëshirë tjetër.
-Po ajo që të pëlqen më shumë në këtë punë cila është?
Pjesa me e bukur e kësaj pune është fakti që mbetet një punë në një industri kreative. Nëse e shohim nga ana e krijimit, moda bën pjesë në botën artit. Një pjesë tjetër janë udhëtimet dhe mundësia për t’u ballafaquar me njerëz nga e tërë bota.
-Udhëtimi i radhës apo aktiviteti ku do të marrësh pjesë?
Pas mbylljes tani të javës së modës, nisem për Montreal, Kanada me Veuve Clicquot për të cilin jam brand ambassador prej 4 vitesh. Dhe më pas jam e ftuar në Budapest ku për herë të parë duan të realizojnë një fashion week për Europën Lindore. Ky është një informacion interesant edhe për stilistët shqiptarë dhe të Kosovës, sepse me anë të këtyre aktiviteteve të dedikuara territoreve lindore mundet që një ditë të hapen në një treg më të madh. Kam kohë që shoh stilistet Ruse dhe Ukrainas që kanë hedhur hapat e parë për t’u afruar tregjeve Europiane, dhe mezi po pres një të ri shqiptar që të ketë vizon. Nëse dikush po më lexon, më kontaktoni, unë jam gjithmonë e gatshme për konsulenca.
Vjeshtë-Dimër 2018-2019
Pallto të gjata, çanta të vogla dhe çizme cowboy
Nuk ka rëndësi nëse i ndjekim apo jo tendencat e modës, por të informuar duhet të jemi mbi ato se çfarë sjellin stilistët për këtë vjeshtë-dimër që kemi përpara.
Bloggeret janë më afër atyre që ideojnë dhe nxjerrin veshje në treg. Për këtë arsye Anjeza na vjen në ndihmë duke na treguar se cilat janë tendencat e kësaj periudhe dhe çfarë nuk duhet ta na mungojë në gardërobë.
-Anjeza, kemi hyrë zyrtarisht në vjeshtë, si do të jetë kjo stinë për sa i përket veshjeve, ngjyrave, modeleve?
Kjo vjeshtë është një risjellje e disa trendeve nga vitet 2000, kështu që kërkoni mirë në fundin e dollapit sepse me siguri do gjeni diçka që e keni. Nga vitet 2000 kemi stampat animalier dhe çizmet cowboy. Unë e mbaj mend që në vitin e 3 gjimnaz të gjitha kishim një palë çizme cowboy, dhe një fustan të inspiruar nga Dolce Gabbana me stampën leopard. Gjithashtu është kthyer mania për logon e atyre viteve, kështu që nëse kërkoni në dyqanet vintage online ose offline do të gjeni rikthimin e çantave me D e Dior dhe F të Fendit dhe mund t’i blini me 10% të çmimit origjinal. Një trend pak më i vështirë është materiali vinil të cilin e gjejmë tek fundet, xhaketat, dhe tek fustanet. Nuk është materiali më i rehatshëm le të themi dhe me siguri nuk do ju mbajë ngrohtë. Por moda ndonjëherë kërkon pak sakrificë. J
-Ke një sugjerim, çfarë duhet të veshim në të përditshmen tonë?
Ndryshimi më i madh që ka ndodhur në botën e modës në këto 5 vitet e fundit është fokusi që i jepet të përditshmes. Një herë e një kohë çfarë shihnim në pasarela ishin fustane mbrëmjeje, taka marramendëse dhe pallto të rëndësishme të punuara. Tashme streetstyle është frymëzimi numër 1 për stilistet dhe për këtë arsye në paserela kemi atlete, çizme pa taka, fustane për përditë dhe pallto të rehatshme. Fustanet janë të gjata, por me materiale elastike dhe komode, pallton dhe xhaketat janë oversize që të mos na pengojnë në lëvizje, këpucët shkojnë me takë maksimumi 5 cm. Në të përditshmen tonë duhet të ndihemi bukur po më e rëndësishmja është të ndihemi komod.
-Çanta e kësaj stine?
Çanta është e vogël edhe për këtë vit, gjithmonë në emër të komoditetit, sepse e dimë shumë mirë që sa më e madhe çanta aq më shumë e mbushim me gjera të panevojshme. Me trendin e çantës së vogël bëjmë zgjedhje më inteligjente kur vendosim se çfarë na duhet në të vërtetë.
-Këpucët apo sandalet?
Edhe pse disa stiliste duan që të veshim sandale me çorape këtë vjeshtë, trendi që më pëlqen me shumë janë çizmet cowboy me gjatësi të ndryshme. Mua më pëlqejnë në versionin e gjatë poshtë gjurit sepse shkojnë shumë me funde dhe fustane të gjata deri pulpe. Për frymëzim mund shikoni Anna Wintour e cila këtë look; çizme dhe fustane të gjata, e ka të sajin prej 10 viteve.
-Aksesorët?
Për aksesorë të tjerë ka kohë që nuk u jepet shumë vëmendje. Duke qenë se kemi një vjeshtë të pasur me stampa dhe ngjyra looku më i mirë është me aksesore minimaliste si varëse të holla floriri.
-Çfarë nuk duhet të mungojë në gardërobën tonë në këtë periudhë?
Për çdo vjeshtë pa menduar që çfarë është trend këtë vit apo vitin tjetër nuk duhet të mungojë një pardesy bezhë dhe një xhaketë lëkure. Këto janë pjesë e një garderobë vjeshte që vlen për sot dhe për mot.
-Shumë shpejt vjen dimri, si pritet ai, cilat janë ngjyrat dhe modelet që do të mbizotërojnë?
Në dimër palltot janë të gjatë poshtë pulpës, me katrore të frymëzuar nga xhaketat e meshkujve që kanë stampën Prince of Wales. Fustane femërore me një pallto mashkullore do jenë kombinimet më të forta për dimër./dita
Fraksion.com