AktualitetRajoniTë fundit

Gjermani – Francë: Ndihmë Ballkanit kundër trafikut illegal të armëve

Në Ballkanin Perëndimor gjashtë milionë armë të vogla zjarri ndodhen jashtë kontrollit të autoriteteve. Është koha për të ҫarmatosur qytetarët në Ballkanin Perëndimor që zotërojnë ilegalisht armë.

    
Një nismë e përbashkët e Gjermanisë dhe Francës, në kuadër të Procesit të Berlinit, synon të mbështesë gjashtë vendet e rajonit, që deri në vitin 2025, të kenë reduktuar në mënyrë të ndjeshme tregtinë e paligjshme të armëve të vogla dhe të lehta, shkruan DW.
Synimi është mjaft ambicioz po të kihet parasysh që bëhet fjalë për disa miliona armë të tilla, që janë jashtë kontrollit të autoriteteve. Raporti i fundit i Zyrës për Kontrollin e Armëve të Vogla dhe të Lehta në Europën Jug- Lindore dhe Lindore (SEESAC, South Eastern and Eastern Europe Clearing House for the Control of Small and Light Weapons) vlerëson se në Ballkanin Perëndimor ( BP) ka rreth 6 milionë armë të vogla dhe të lehta që janë në duar të popullsisë në mënyrë ilegale. Nisma franko-gjermane është miratuar nga kryeministrat e BP në samitin e Londrës në korrik dhe muajt e fundit me konferenca kombëtare në kryeqytetet e BP. Në konferencën e Tiranës, të zhvilluar ditët e fundit,  përfaqësues të qeverisë gjermane dhe asaj franceze prezantuan emergjencën e vënies nën kontroll efektiv të arsenalit të armëve të vogla dhe të lehta përmes bashkëpunimit të ngushtë me qeverinë e Tiranës dhe koordinimit të donatorëve ndërkombëtarë.
Deutschland Berlin Auswärtiges Amt (picture-alliance/dpa/M. Becker)

Marcus Bleinroth nga Ministria e Jashtme gjermane thekson se qëllimi i nismës franko- gjermane është më shumë siguri për rajonin

Armët rrezik për sigurinë rajonale dhe atë europiane

Marcus Bleinroth, Drejtor në Drejtorinë për Kontrollin e Armëve Konvencionale pranë Ministrisë Federale Gjermane të Punëve të Jashtme tha, se qëllimi i nismës franko- gjermane është “më shumë siguri për rajonin, më shumë siguri për BE”. “Armët e përdorura në sulmin terrorist në Bataclan, në Francë,  në janar 2015, e kishin origjinën nga BP. Prandaj synojmë të reduktohet në  maksimum trafiku i paligjshëm i armëve të vogla dhe të lehta,  të mblidhet gjithë stoku i armëve të tilla, që fenomeni të mos bëhet pengesë në procesin e pranimit të vendeve të BP në BE”, theksoi Marcus Bleinroth.

Armët në duar të organizatave terroriste dhe krimit të organizuar

Gjashtë milionë armët ilegale në BP kërcënojnë sigurinë e të gjithëve. Jean-Claude Brunet, Ambasador Special për Rrezikun nga Krimi Ndërkombëtar dhe Luftën kundër Trafikimit të Armëve të Vogla dhe të Lehta, në Ministrinë Franceze për Evropën dhe Punët e Jashtme, u shpreh në konferencën e Tiranës se këto armë janë “në duar të organizatave terroriste, krimit  të organizuar, ato shkaktojnë viktima të dhunës në familje dhe viktima në komunitetet e qytetarëve”.

“Nisma franko-gjermane për të mbledhur gjithë stokun e armëve të vogla dhe të lehta që zotërohen në mënyrë ilegale është novatore, pasi mbështetet në koordinimin e mbështetjes së donatorëve si NATO, BE, OSBE, OKB dhe partnerëve të ndryshëm dhe po zbatohet në frymën europiane dhe atë të bashkëpuimit mes BE dhe BP”,, theksoi Jean-Claude Brunet.

Innenministerium in Tirana, Albanien (DW / Aida Cama)
Fatmir Xhafaj, ministri i Brendëm shqiptar shprehet, se në tre mujorin e parë të vitit 2019 në Shqipëri do të ngrihet njësia qendrore e kontrollit të armëve të vogla dhe të lehta

Zbatim i nismës në nivel rajonal dhe kombëtar

Nisma franko- gjermane po zbatohet në nivel rajonal dhe kombëtar. Në nivel rajonal është hartuar tanimë një udhërrëfyes me objektiva të matshme për reduktimin e tregtisë së paligjshme të armëve të vogla dhe të lehta, të cilin kryetarët e shteteve të Ballkanit e kanë miratuar në Samitin e Londrës, në korrik të këtij viti. Në nivel kombëtar do të mbahen konferenca kombëtare nën kryesinë e Gjermanisë dhe Francës për të koordinuar punën e autoriteteve kombëtare me donatorët ndërkombëtare. Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Fatmir Xhafaj, i pranishëm në konferencë tha, se në Shqipëri mbledhja e stokut të armëve  të vogla dhe të lehta është një emergjencë. “Hapja e depove shtetërore të armëve gjatë trazirave të vitit 1997, kalimi i armëve në duart e qytetarëve dhe të grupeve kriminale ka prodhuar në 20 vitet e fundit  dhe vazhdon të prodhojë humbje jetësh dhe zhvillim të tregut të armëve”, theksoi Ministri Xhafaj.

Ai bëri me dije, se në tre mujorin e parë të vitit 2019 në Shqipëri, do të ngrihet njësia qendrore e kontrollit të armëve të vogla dhe të lehta për të mbledhur ato që zotërohen në mënyrë ilegale. Rreth 60% e armëve të lehta dhe të vogla janë ende jashtë kontrollit në Shqipëri.

 

Fraksion.com