UEFA rinis hetimet ndaj PSG-së për “Fair Play”-n financiar
Paris Saint Germain fillon të dridhet përsëri! UEFA vendosi të rihapë dosjet e disa klubeve që kanë thyer rregullin e “Fair Play”-t financiar, e sigurisht mes tyre figuron edhe ajo e klubit francez.
Më 13 qershor, UEFA vendosi që të mos e sanksionojë klubin kampion të Francës, por tani çështja është dërguar në Komisionin hetimor që do të bëjë verifikime të mëtejshme të bilancit të parizienëve.
Pika kyçe e këtij hetimi duket se do të jetë më shumë transaksioni për marrjen e Mbappe, sesa ai për Neymar. Në rastin e brazilianit dihen të gjitha shifrat e transferimit, ndërkohë që ato për francezin nuk janë shumë të qarta për drejtuesit e qeverisë së futbollit europian.
Mbappe u transferua te Paris Saint Germain nga Monaco, në formë huazimi me detyrim blerjeje për shifrën e 180 milionë eurove.
Vlen të kujtohet se, sipas rregullit të “Fair Play”-t financiar, asnjë klub që merr pjesë në kompeticionet e UEFA nuk duhet të shpenzojë më shumë parà nga sa përfiton nga aktivitetet e tij.
Fraksion.com