AktualitetRajoniTë fundit

Maqedoni: Përgatitje për ligjin anti-korrupsion

Autoritetet në Maqedoni po përgatisin projekt-ligjin për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktin e interesave. Ligji parashikon shtimin e autorizimeve të Komisionit anti-korrupsion, ndërsa anëtarët e tij nuk duhet të jenë të lidhur me politikën. Instituti Republikan amerikan po ndihmon në organizimin e debateve publike me ekspertë të fushës. Ligji është në plan të hyjë në procedurë parlamentare pas referendumit.

Ligji i ri kundër korrupsionit dhe konfliktit të interesave, i cili po hartohet nga ministria e Drejtësisë, me ndihmën e ekspertëve të pavarur dhe duke përfshirë përvojat e vendeve perëndimore, parasheh rritjet e kompetencave të anëtarëve të Komisionit Antikorrupsion. Anëtarët e këtij organi nuk duhet të kenë asnjë lidhje me politikën në dhjetë vjetët e fundit dhe të jenë personalitete me integritet.

Ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska tha se ligji i ri, përkatësisht zgjedhja e anëtarëve të Komisionit për luftën kundër korrupsionit duhet të bëhet përmes një procedure transparente në parlament.

“Për sa i përket shtimit të kompetencave dhe autorizimit të Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit, anëtarët e tij do të kenë qasje tek llogaritë bankare të personave bartës të funksioneve publike dhe në aspektin e kontrollit të pasurisë së paluajtshme. Po ashtu parashihet financimi më i madh i Komsionit në mënyrë që të mund t’i zbatojë autorizimet e veta”, – tha ministrja.

Ekspertja Sllagjana Taseva e organizatës Transparency, e njohur për veprimtarinë në fushën kundër-korrupsionit, shtron çështjen e bashkëpunimit të komisionit anti-korrupsion me institucionet dhe autorizimin që do të ketë ai, duke pasur parasysh instrumentet ndërkombëtare të cilat kërkojnë institucione të këtij lloji dhe para së gjithash efikasitetin e tyre.

Taseva thotë se nuk dihet se ç’ndodh me pasurinë e funksionarëve shtetërorë edhepse ata dorëzojnë listat e anketimit që nxirren në web faqen e komisionit anti-korrupsion. “Tani, – shton ajo, – Komisioni duhet të ketë qasje që vetë të kryejë inspektimin, të ketë qasje tek të gjitha bazat e të dhënave dhe të mund të kërkojë nga të gijtha institucionet, përfshirë bankat, të cilat duhet të japin informata për llogaritë bankare të funksionarëve publik dhe subjekteve të ligjit”.

Projekt-ligji pritet të hyjë në procedurë parlamentare menjëherë pas referendumit të 30 shtatorit.

Instituti Ndërkombëtar Republikan amerikan – IRI po ndihmon debatet publike në të cilat po kërkohet përfshirja e mënyrave dhe përvojave më të mira në ligjin për luftën kundër korrupsionit dhe konfliktit të interesave.

Ligji i vjetër ishte shkruar në vitin 1999 dhe ishte miratuar më 2002; Ekspertët vlerësojnë se ai duhej patjetër t’i nënshtrohej reformave. Nga ana tjetër, pjesëtarët e komisionit anti-korrupsion kishin lidhje të forta me partitë politike prej të cilave edhe propozoheshin për në detyrë. Pothuaj se asnjëherë nuk është ngritur ndonjë procedurë për kontroll ose llogaridhënie nga politikanët dhe bartësit e funksioneve të larta publike, ndonëse më shumë herë janë ngritur dyshime nga media dhe shoqëria civile.

 

Fraksion.com