Ja njeriu që për 20 minuta, ndau 4300 çifte; 17 të tjerë janë në proces divorci
Dhjetë ditë më parë, komediani skocez Daniel Sloss publikoi në Netflix një monolog komik prej 20 minutash dedikuar marrëdhënieve “mbytëse” dhe të komplikuara. Monologu pati aq shumë impakt tek shikuesit, sa që shumë marrëdhënie me karakteristika të ngjashme përfunduan.
Sipas “Daily Mirror”, aktori thotë se që nga publikimi i “stand up-it”, 4300 persona janë ndarë dhe 17 kanë vendosur të divorcohen. Dhe numri po rritet.
Në shfaqjen me titull ‘Jigsaw’, Sloss bën humor në lidhje me besimin që ekziston gjerësisht në shoqëri se secili prej nesh ka shpirtin binjak. Sipas tij, kjo ide çon në faktin që ne të zgjedhim njeriun e gabuar për të filluar një marrëdhënie vetëm nga frika se do të mbeteshim vetëm. “Detyrojmë një person që të jetë i pranishëm në jetën tonë, vetëm sepse preferojmë të kemi diçka sesa asgjë”, thotë komediani, shkruan Dita.
“Ajo që dua të them është se, nëse e keni pyetur veten ndonjëherë se sa e lehtë do të ishte jeta juaj nëse partneri juaj do të vdiste”, thotë ai.
Pas shfaqjes, komediani mori mijëra mesazhe nga e gjithë bota, në të cilat njerëzit e falënderojnë dhe shpjegojnë se si fjalët e tij kanë ndryshuar jetët e tyre.
“Hey Daniel! Jam 23 vjeç dhe dua të them se në listën tënde mund të shtosh një divorc të një martese emocionalisht abuzuese për tre vjet resht”, i shkruan një person. Sloss bën një përmbledhje të marrëdhënieve që kanë marrë fund dhe të divorceve dhe publikon mesazhet që merr çdo ditë në Instagram.
“Humori zgjat 20 minuta dhe nuk kam pasur kurrë si qëllim që të ndaj çifte”, shpjegon ai. “Është një letër dashurie për beqarët, e cila thotë se shpesh herë është më mirë të jesh vetëm se sa në një marrëdhënie”.