PD platformë antimafia për çlirimin e ekonomisë
Kryedemokrati Lulzim Basha u ndal sot në Tiranë për të prezantuar ato që i quajti masat antimafia për çlirimin e ekonomisë nga korrupsioni dhe oligarkia.
Alternativa, sipas PD, ka për qëllim sekuestrimin e pasurive publike të fituara me kontrata në kundërshtim me ligjin.
“Ne do të prezantojmë platformën Antimafia që propozon mekanizmin ligjor dhe institucional për evidentimin, sekuestrimin e pasurive të personave publikë dhe private të përfshirë në afera korruptive tendera, koncensione, PPP. Nëse një grusht njerëzish përfitojnë gjysmën e fondeve publike në mënyrë jotransparente për afera që nuk sjellin asnjë përfitim publik, thënë ndryshe shërbimi më i madh është të kthejmë kushtet e konkurrencës së ndershme, zbatimin e ligjit“, tha Lulzim Basha.
Kryetari i opozitës, Lulzim Basha tha se pjesë e kësaj pakete është edhe vettingu në politikë, i cili po pengohet nga qeveria Rama siç tha ai.
“Deri sot Rama dhe qeveria kanë refuzuar vettingun me lloj- lloj pretekstesh. Rama është kundër qëllimit të propozimit tonë ligjor“, vijoi Basha.
Sipas kryedemokratit beteja duhet të nisë nga Parlamenti, pasi është ai institucion që legjitimon paratë e pista.
“Kuvendi i Shqipërisë është kthyer në vendin që legjitimon paratë e pista. Asgjë nuk e mbledh më mirë korruptimin total të kësaj qeverie. Është mëse i nevojshëm vettingu në politikë, masat drastike duhen marrë për një kohë sfidash dramatike. Vettingu në politikë do zhdukë të inkriminuarit”, tha Basha.
Opozita ka nisur bojkotin që më 3 shtator, duke u mbledhur në qytete që ata i cilësojnë problematike, si në Shkodër, Elbasan, Durrës dhe Vlorë.
Fraksion.com