AktualitetBota+Të fundit

Kush qëndron mbrapa sulmit të përgjakshëm në Iran?

Zyrtarët iranianë kanë akuzuar aleatët amerikanë në rajon se kanë qenë mbrapa sulmit në paradën ushtarake, të mbajtur në jugperëndim të shtetit, duke rezultuar me 29 persona të vdekur dhe dhjetëra tjerë të plagosur.

Një grup separatist arab dhe militantët e grupit ekstremist, Shteti Islamik kanë pretenduar të kenë kryer sulmin.

Mirëpo as zyrtarët iranianë as dy grupet e përmendura nuk kanë ofruar të dhëna për të konfirmuar pretendimet e tyre.

Sipas mediave lokale në sulm janë vrarë anëtarë të Gardës Revolucionare të Iranit, së bashku me civilë që kanë qenë duke shikuar paradën, përfshirë një vajzë katërvjeçare.

“Krimet e tyre janë vazhdimësi e komploteve të shteteve rajonale, të cilat janë vegla të Shteteve të Bashkuara dhe synimi i të cilave është krijimi i pasigurisë në shtetin tonë të dashur”, ka thënë lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, në një deklaratë, pak orë pas sulmit në qytetin Ahvaz.

Megjithatë Khamenei nuk ka specifikuar se cilave shtete u është drejtuar.

‘Hakmarrje shkatërruese’

Të hënën, zëvendësudhëheqësi i Gardës Revolucionare të Iranit, Hossein Salami, ka paralajmëruar liderët e SHBA-së dhe Izraelit që të presin një përgjigje “shkatërruese” nga Teherani, pas sulmit në Ahvaz.

Mijëra persona kanë dalë në rrugët e këtij qyteti për të përkujtuar viktimat e së sulmit të së shtunës.

“Keni parë hakmarrjen tonë më parë. Ju do të shihni se përgjigja jonë do të jetë shkatërruese dhe do të pendoheni për atë që keni bërë”, ka thënë Salami, para ceremonisë së funeralit, transmeton Reuters.

Ministri iranian i inteligjencës, Mahmoud Alavi ka thënë se tashmë është arrestuar një rrjet i të dyshuarve në lidhje me këtë sulm.

Irani e ka shpallur të hënën ditë zie kombëtare.

Zyret publike, bankat, shkollat dhe universitete do të jenë të mbyllura në provincën Khuzestan.

Tensione me Gjirin Persik

Marrëdhëniet në mes të rivalëve rajonalë, Iranit dhe Arabisë Saudite, aleatit kryesor të Uashingtonit në Lindje të Mesme, janë tensionuar, pasi të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për krijim të jostabilitetit në këtë rajon.

Teherani ka pretenduar në të kaluarën se Arabia Saudite ofron ndihmë për separatistët në rajonin ku ka pakicë të arabëve.

Scott Lucas, specialist për Iranin në Universitetin e Birminghamit në Britani, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se, akuzat e Teheranit ndaj rivalëve rajonalë dhe Shteteve të Bashkuara për situatën e brendshme tensionuese nuk përbëjnë asgjë të re, duke shtuar se një gjë e tillë është rritur pas tërheqjes së SHBA-së nga pakti bërthamor dhe përkeqësimi i situatës ekonomike në Iran.

Tensionet në mes të Teheranit dhe Shteteve të Bashkuara janë përshkallëzuar në muajin maj, pas vendimit të presidentit amerikan, Donald Trump për tërheqje nga pakti bërthamor i vitit 2015 si dhe për rivendosje të sanksioneve të ashpra në Iran.

Lidhur me ngjarjen në Ahvaz, ai ka thënë se “shqetësimi në rritje ka të bëjë edhe me krizën ekonomike dhe ndikimin e sanksioneve amerikane, të lidhura me kontestin rajonal të Iranit me Riadin dhe konfliktet në Siri, Jemen dhe Irak”, ka shtuar ai.

“Mercenarët” e Gjirit Persik

Më 23 shtator, Ministria e Jashtme iraniane ka kërkuar të marrë në pyetje një zyrtar të Emirateve të Bashkuara Arabe, lidhur me komentet “e papërgjegjshme” të bëra nga një këshilltar qeveritar, i cili është raportuar të ketë thënë se sulmi ndaj ushtrisë nuk mund të konsiderohet akt terrorist.

Ndërkohë, presidenti iranian, Hassan Rohani ka akuzuar Shtetet e Bashkuara për mundësim të kryerjes së sulmit të përgjakshëm, përmes mbështetjes që ofron për shtetet e Gjirit Persik.

Duke folur më 23 shtator, para se të largohej nga Teherani për një Nju Jork, për të qenë pjesëmarrjes në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Rohani ka thënë se autorët e sulmit dhe ndihmësit janë ‘shumë të qartë” për Teheranin.

“Ata që kanë kryer këtë katastrofë, kanë qenë mercenarët e diktatorit irakian, Sadam Hussein për aq kohë sa ai ka qenë gjallë dhe tani kanë ndryshuar udhëheqësinë”, ka thënë ai.

“Një nga shtetet në jug të Gjirit Persik është kujdesur për të gjitha nevojat financiare, ushtarake dhe politike”, ka shtuar ai.

“Të gjitha këto shtete të vogla mercenare që i shohim në rajon mbështeten nga Amerika. Amerikanët i nxisin ato”, ka thënë presidenti iranian.

Drejtori për Projektin e Iranit në Grupin Ndërkombëtar për Kriza, Ali Vaez, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se Teherani duket se ka të dhëna të reja për aktivitete të disa grupeve separatiste, të cilat kanë lidhje me shtetet e Gjirit Persik.

“Një heshtje nga ana e Arabisë Saudite dhe aleatëve të saj në Gjirin Arab pas sulmit, Teherani e ka përshkruar si të dhënë për fajësinë e tyre”, ka thënë Vaez.

“Fakti që zyrtarë të lartë amerikanë siç është John Bolton, para se të bëhej këshilltar për siguri kombëtare, kanë mbrojtur publikisht pakicën etnike të Iran, shton dyshimet e Teheranit rreth synimeve destabilizuese”, ka shtuar ai.

Një grup iranian me etni arabe, i quajtur Rezistenca Kombëtare e Ahvazit, e cila kërkon shtet të ndarë në provincën Kahuzestan, ka pretenduar se është përgjegjës për sulmin, pa ofruar asnjë të dhënë.

Zëdhënësi i këtij grupi, Yagoub Hor Altasteri, i ka thënë transmetuesit gjerman, Deutsche Welle, se sulmi ka qenë “akt legjitim” në përgjigje të asaj që e ka përshkruar si “transferim të ujit” dhe “ varfërisë” dhe “ekzekutimeve”.

Banorët arabë që jetojnë në provincën Khuzestan janë ankuar për kohë të gjatë, rreth padrejtësisë sociale, kulturore dhe politike.

Ky rajon ka qenë skenë e situatave tensionuese më 2005 dhe 2011, të cilat kanë rezultuar me dhjetëra arrestime, kanë raportuar grupe për të drejta të njeriut, duke përfshirë Human Rights Watch./REL

 

Fraksion.com