AktualitetEkonomiTë fundit

Eurobond-i, Shqipëria do të marrë hua 500 mln euro

Shqipëria shpalli zyrtarisht kërkesën në tregjet ndërkombëtare për të marrë 500 milionë euro borxh përmes emetimit të një eurobondi me afat 5 vjeçar. Ankandi pritet të zhvillohet javën e ardhshme dhe paratë do të përdoren për financimin e buxhetit, por edhe për të zëvendësuar borxhet e marra në të kaluarën me interesa më të larta. Agjencitë e specializuara financiare parashikojnë se operacioni do të jetë i suksesshëm duke i siguruar Shqipërisë hua me interesa të favorshme.

Shqipëria shpalli zyrtarisht kërkesën për të marrë hua në tregjet ndërkombëtare përmes emetimit të një eurobondi 500 milionë euro. Kërkesa është shpallur në agjencitë kryesore financiare të botës, një akt që përbën listimin zyrtar të vendit në ankandin, i cili pritet të zhvillohet javën që vjen.

Por pse qeveria po kërkon borxh në tregjet ndërkombëtare? Për dy arsye. Së pari për të plotësuar nevojat e buxhetit për financim. Ndërsa arsyeja e dytë është për të ulur koston e borxhit ekzistues.

Në vitin 2015 Shqipëria mori 475 milionë euro borxh përmes emetimit të një Eurobondi 5 vjeçar. Ky borxh që u mor me interes 5.75 për qind duhet të shlyhet në vitin 2020. Por Ministria e Financave pret që interesat e Eurobondit të ri të jenë dukshëm më të ulëta. Ndaj ka vendosur që një pjesë të parave nga Eurobondi i ri ta përdorë për të shlyer para kohe 200 milionë euro nga Eurobondi i marrë në vitin 2015. Pra një operacion financiar që zëvendëson borxhin e shtrenjtë me borxh më të lirë, duke ulur kostot e interesave që paguan buxheti dhe qytetarët.

Kjo lëvizje është mbështetur edhe nga agjencitë prestigjoze ndërkombëtare të financave. Bloomberg shkruan se kërkesa e investitorëve për Eurobondin e Shqipërisë pritet të jetë e lartë dhe interesat të favorshëm.

Kjo kryesisht për dy arsye. Normave të ulëta të interesit në tregjet ndërkombëtare, por edhe qëndrueshmërisë më të madhe financiare të vendit, teksa borxhi publik prej tre vitesh është në trajektore rënëse dhe në tremujorin e dytë zbriti në 65 për qind të prodhimit kombëtar.

Pritshmëritë pozitive konfirmohen edhe nga shifrat. Aktualisht diferenca mes interesave të Eurobondit shqiptar dhe normës bazë të tregut është dy herë më ulët se sa në vitin 2016. Kjo do të thotë se investitorët e huaj e perceptojnë më pak pasiguri për ekonominë shqiptare dhe janë gati të japin borxh me interesa më të ulëta.

 

Fraksion.com