AktualitetBota+Të fundit

Departamenti i Sigurisë Kombëtare, për ndihmat e imigrantëve: Të mos kenë përfitime publike

Departamenti i Sigurisë Kombëtare ka bërë të njohur një propozim për personat që hyjnë dhe synojnë të qëndrojnë në Shtetet e Bashkuara: që ata të mos kenë përfitime publike, siç janë programet e ndihmave për ushqime, ilaçe me recetën e mjekut, ose strehim.

Ky propozim u bë i njohur përmes një deklarate të publikuar në internet të Sekretares së Sigurisë Kombëtare, Kirstjen Nielsen, në pritje të komenteve të publikut, në mënyrë që rregulli i propozuar të jetë transparent.

“Rregulli i propozuar do të zbatojë një ligj të miratuar nga Kongresi, që synon promovimin e pavarësisë dhe vetëbesimit të imigrantëve, si dhe dhe ruajtjen e disa burimeve, në mënyrë që imigrantët të mos bëhen barrë për taksapaguesit amerikanë”- thuhet në deklaratë.

Në deklaratë thuhet se Departamenti i Sigurisë Kombëtare do të shqyrtojë “përfitimet e tanishme dhe ato në të shkuarën mbi një prag të caktuar, si një faktor tepër negativ” për personat që i marrin këto ndihma.

Në përfitimet publike hyjnë ndihmat shtetërore, ose federale, si kupona për blerjen e ushqimeve, disa lloje të sigurimeve shëndetësore, qëndrimi në institucione të caktuara për një periudhë të gjatë kohe me shpenzimet e qeverisë dhe ndihmat për strehimin.

Ky propozim do të publikohet zyrtarisht në Regjistrin Federal në javët e ardhshme dhe publikut do t’i lihen 60 ditë për të shprehur komentete e tyre me internet, ose me email.

 

Fraksion.com