Iran, sulmi i armatosur në një paradë lë dhjetëra të vdekur dhe të plagosur
Sipas njoftimit të mediave shtetërore iraniane, persona të armatosur hapën zjarr në një paradë ushtarake që po zhvillohej në pjesën jugperëndimore të Iranit, duke vrarë të paktën 24 vetë dhe duke plagosur më shumë se 53 të tjerë.
Grupi terrorist “Shteti Islamik” ka marrë përgjegjësinë për sulmin e së shtunës në Ahvaz të provincës Khuzestan, ndërsa ka patur raportime konfliktuale për ngjarjen.
Zyrtarët thanë se në këtë sulm u vranë dy persona të armatosur. Televizioni shtetëror iranian tha se sulmuesit vunë në shënjestër një podium ku qëndronin zyrtarët e lartë për të parë paradën vjetore, që shënon fillimin e luftës kundër Irakut që zgjati nga viti 1980 deri në 1988. Parada të ngjashme u mbajtën në mbarë vendin.
Më herët, presidenti iranian Hassan Rouhani përshëndeti paradën mbarë kombëtare nga kryeqyteti Teheran, nga ku paralajmëroi Shtetet e Bashkuara se vendi i tij do të vazhdojë të ndërtojë aftësitë e veta mbrojtëse.
“Irani nuk do të heqë dorë nga armët edhe as nuk do të reduktojë aftësitë mbrojtëse. Çdo ditë do të shtojmë aftësitë tona mbrojtëse.”– tha zoti Rouhani.
Sipas njoftimeve të medias, shumica e të vrarëve në sulmin e së shtunës janë pjestarë të Rojes Revolucionare të Iranit, por mes tyre ishte edhe një gazetar. Ministri i Jashtëm iranian Mohammed Javad Zarif, fajësoi për sulmin, siç u shpreh ai: “mbështetësit rajonalë të terrorizmit dhe padronët e tyre amerikanë”.
“Sponsorët rajonalë të terrorizmit”, është një term që Irani zakonisht e përdor ndaj armiqve të vet kryesorë, Arabia Saudite dhe Izraeli.
Kryediplomati iranian tha se vendi i tij do të hakmerrej shpejt dhe me vendosmëri ndaj sulmit. Provinca Khuzestan është në kufi me Irakun dhe ka një komunitet të madh arab, shumica e të cilëve i përkasin sektit Sunni në shtetin që dominohet nga sekti Shiit.
Fraksion.com