Ukraina i jep fund Traktatit të Miqësisë me Rusinë
Ukraina tha se do ta njoftojë zyrtarisht Rusinë më 21 shtator se nuk do të zgjasë më Traktatin e saj të Miqësisë, Bashkëpunimit dhe Partneritetit me Moskën.
Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Pavlo Klimkin, tha se Kievi do t’i njoftojë të gjitha organizatat relevante, përfshirë Kombet e Bashkuara, lidhur me masën.
Traktati është nënshkruar fillimisht më 31 maj të vitit 1997, me një klauzolë që përcaktonte zgjatjen e tij automatike nëse palët nuk bëjnë ndonjë veprim për t’i dhënë fund.
Marrëveshja ka hyrë në fuqi më 1 prill të vitit 1999.
Traktati përcakton parimin e partneritetit strategjik, paprekshmërinë e kufijve ekzistues, respektin për integritetin territorial dhe një detyrim për të mos përdorur territorin e njërit vend për të dëmtuar sigurinë e tjetrit.
Ukraina ka shpallur pavarësinë e saj nga Bashkimi Sovjetik më 24 gusht, 1991, gati katër muaj përpara shpërbërjes zyrtare të Bashkimit Sovjetik.
Marrëdhëniet midis Ukrainës dhe Rusisë janë përkeqësuar qëkur Moska ilegalisht ka aneksuar rajonin ukrainas të Krimesë dhe ka nxitur një konflikt midis separatistëve pro-rusë dhe forcave qeveritare në lindje të Ukrainës në vitin 2014.
Më shumë se 10,300 njerëz janë vrarë në konflikt.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian i kanë dënuar veprimet e Rusisë në Ukrainë dhe e kanë goditur atë me një sërë sanksionesh.
Fraksion.com