Spanja e kundërshton shkëmbimin e kufijve, e njeh Kosovën shtet vetëm pas marrëveshjes me Serbinë
Spanja do ta njohë Republikën e Kosovës si shtet, në rast të arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Megjithatë shteti spanjoll e kundërshton idenë e shkëmbimit të kufijve si zgjidhje përfundimtare ndërmjet dy shteteve.
Siç shkruan gazeta spanjolle “Moncloa’, Spanja është duke e përgatitur njohjen diplomatike të Republikës së Kosovës.
Në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Spanjës janë njoftuar në detaje lidhur me ecurinë e dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, dhe pritet që një marrëveshje historike ndërmjet dy vendeve të arrihet brenda katër apo gjashtë muajsh.
E nëse do të arrihet kjo marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Spanja do të lëvizë përpara duke e njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës.
Gazeta shkruan se Spanja është kundër idesë së propozuar nga Thaçi dhe Vuçiq për ndryshim të kufijve, pasi mendojnë që një gjë e tillë mund të përdoret si precedent nga nacionalistët në Kataluni, të cilët mund të kërkojnë njohje ndërkombëtare më vonë.
Ndërkohë ministri i Punëve të Jashtme të Spanjës, Josep Borell, ka thënë më herët se në rast të arritjes së një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, atëherë edhe vendet të cilat nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës si shtet, do të lëviznin përpara për të marrë një vendim përfundimtar për njohje.
Borell ka folur edhe për kundërshtimin që iu bë idesë për shkëmbim të territoreve nga fuqitë e mëdha, duke thënë se Evropa nuk është një vend ku duhet të krijohen etnitete homogjene.
“Evropa është ndërtuar për të jetuar së bashku njerëz të etnive të ndryshe e të kulturave të ndryshme”, ka thënë Barell./Express
Fraksion.com