AktualitetBota+Të fundit

Dokumente të rrezikshme për aktivistin e Pussy-Riot Versilov?

Në rastin e kritikut të sëmurë të Kremlinit, Pjotr Versilov ka detaje të reja: aktivisti do të merrte ditën kur dyshohet se e helmuan dokumente të rrezikshme, bën të ditur gazeta ruse “Novaja Gaseta”.

Pjotr Versilovi do të merrte sipas gazetës “Novaja Gaseta” të enjten e kaluar një raport përfundimtar të ekspertëve të huaj për prapaskenat e vrasjes së gazetarëve rusë në Republikën e Afrikës Qendrore në fund të korrikut. Në të njëjtën ditë atë e dërguan me simptoma sëmundjeje në një klinikë të Moskës. Që prej së hënës atë e mjekojnë në Charite-në e Berlinit.

A ishte i përfshirë Versilovi në hetime delikate?

Sipas “Novaja Gaseta”s-, Versilovi besohet se ka qenë shok me njërin nga gazetarët e vrarë në Republikën e Afrikës Qendrore. Thuhet se aktivisti planifikonte të ndërmerrte vetë një udhëtim investigativ për në Afrikën Qendrore. Ai madje kishte blerë edhe biletat për të fluturuar atje.

Por Versilovi pati vendosur që të qendrojë në Rusi, për të marrë pjesë në një aksion gjatë Kampionatit Botëror të Futbollit. Në finalen midis Francës dhe Kroacisë në Moskë, Versilovi i veshur me një uniformë të policisë sovjetike vrapoi në fushën e ndeshjes, për të demonstruar për lirimin e të burgosurve politikë në Rusi.

Deutschland Pussy Riot Pjotr Wersilow (picture-alliance/AP Photo/Cinema for Peace Foundation)

Raporti i “Novaja Gaseta” nuk është konfirmuar deri tani nga burime të pavarura. Në mbështetje të raportit flet që Versilovi në fund të korrikut u shpreh në twitter i tronditur për vrasjen e gazetarëve rusë në Republikën e Afrikës Qendrore. Ai e karakterizoi Rastorgujevin si “njërin nga regjisorët më të mirë të dokumentarëve” të vendit dhe e quajti me dashuri “Sasha”. Por ka edhe argumente që të bëjnë të dyshosh në raportin e “Novaja Gaseta”. Kështu, të tri gazetarët e vrarë qenë reporterë lufte me përvojë, në një kohë që Versilovi u bë i njohur si artist dhe provokator politik.

Investigim për mercenarët rusë

Sipas medieve, tri gazetarët Aleksander Rastorgujev, Kiril Raxhenko dhe Orhan Xhemal do të bënin në Afrikën Qendrore një investigim për mercenarë rusë, të cilët kanë ndoshta lidhje me politikën. Gazetarët po udhëtonin me një automjet të marrë me qira, kur i ndaluan dhe i vranë. Shoferi i automjetit mbijetoi i paplagosur. Prapaskenat e atentatit deri sot janë të paqarta. Investigimi qe porositur nga një projekt ndërkohë i përfunduar, i cili financohej nga ish-miliarderi i naftës dhe kritiku i Kremlinit, Michail Chodorkovskij./DW

 

Fraksion.com