AktualitetKosovaTë fundit

Shndërrimi i Forcës së Sigurisë në ushtri të Kosovës

Qendra e Kosovës për Studime të Sigurisë vlerëson se mundësitë për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri të saj përmes ndryshimeve kushtetuese, pothuajse janë shuar, ndërsa fajëson Beogradin për nxitjen e pjesëtarëve të komunitetit serb që të braktisin Forcën e Sigurisë.

Duke shpalosur një studim rreth këtyre çështjeve, Plator Avdiu nga kjo qendër, tha se qeveria e Kosovës tani duhet të përqendrohet në ndryshimin e mandatit të Forcës së Sigurisë përmes ndryshimeve ligjore.

“Ka shumë debate, qoftë që kapen në arsye politike ose profesionale se a është e drejtë të bëhet kjo përmes kushtetutës apo ligjit, mund të them se publikimi jonë është në vazhdën e publikimeve të mëhershme që i kemi bërë për këtë çështje, ne kemi dalë edhe më herët me qëndrimet tona se në rast se ka bllokime nga ana e komunitetit serb në kuvendin e Kosovës, është plani B i cili i mundëson Kosovës të bëjë transformimin e FSK-së në ushtri për shkak se kushtetuta nuk e ndalon, është vetëm ligji aktual ai i cili vendos disa kufizime në armatim”, tha zoti Avdiu.

Javën e kaluar, qeveria e Kosovës miratoi tri projektligje që i hapin rrugë ndryshimit të mandatit të Forcës së Sigurisë. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, kishte thënë se veprimi i qeverisë është ligjor dhe në bazë të kushtetutës, duke paralajmëruar se në momentin e krijimit të rrethanave të favorshme politike do të ndryshohet edhe emri i Forcës së Sigurisë përmes ndryshimeve kushtetuese.

Sipas zotit Avdiu, Serbia si kundërshtarja më e madhe e transformimit të Forcës së Sigurisë në ushtri, ushtron trysni mbi pjesëtarët e komunitetit serb që të braktisin forcën.

“Dihet që një prej kundërshtarëve më të mëdhenj të kësaj është Serbia e cila përmes eksponentëve të saj qoftë qeveritar në Beograd, qoftë eksponentëve të saj në Kosovë, ose qoftë përmes qarqeve të cilat për institucionet e Kosovës janë ilegale ka shantazhuar ka bërë presion dhe ka ndikuar që një numër shumë i madh të largohen pikërisht muajve të fundit nga Forca e Sigurisë së Kosovës duke i shantazhuar në mënyrë të drejtë për drejtë”, tha ai.

60 pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, nga radhët e komunitetit serb, kanë ofruar dorëheqjet e tyre nga kjo forcë vetëm gjatë vitit 2018. Shpat Balaj, nga Qendra e Kosovës për Studime të Sigurisë, tha se largimi i pjesëtarëve serbë nga Forca e Sigurisë së Kosovës është një operacion i përgatitur mirë nga shteti i Serbisë.

“Integrimi i komunitetit serb është konsideruar si njëra nga sfidat më të mëdha të Forcës së Sigurisë së Kosovë dhe me intensifikimin e dialogut Kosovë – Serbi, hapjen e debatit për transformimin e FSK-së dhe me përafrimin e datës për arritje të së ashtuquajturës marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbisë, shteti i Serbisë ka filluar një fushatë për ta parandaluar këtë proces dhe për ta dëmtuar FSK-në. Kjo fushatë është një operacion i mirë përgatitur psikologjiko – ushtarak i cili ka në krye liderët kryesorë të Serbisë dhe si pjesë e kësaj fushate në fillim të vitit 2017 shtëpitë e dy pjesëtarëve serb të FSK-së janë sulmuar me mjete eksplozive”, tha zoti Balaj.

Zoti Balaj tha se Bashkimi Evropian në këtë fazë duhet që të kushtëzojë Serbinë me mos ndërhyrjen në institucionet e Kosovës.

“Institucionet e Kosovës në bashkëpunim me praninë ndërkombëtare në vend duhet të insistojnë në krijimin e një strategjie të qartë e cila do të parandalonte edhe largime të tjera nga ky institucion. Në anën tjetër duke e marrë parasysh përafrimin e Serbisë me Bashkimin Evropian, ky i fundit duhet të jetë më i ashpër sa i takon kësaj çështje ndaj Serbisë, duke e kushtëzuar anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian me mos ndërhyrje në institucionet e Kosovës”, tha ai.

Forca e Sigurisë së Kosovës u themelua në janar të vitit 2009 në bazë të planit të kryenegociatorit të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, në bazë të të cilit edhe është shpallur pavarësia e Kosovës. Forca e Sigurisë është forcë shumë-etnike me mbi 10 për qind të përbërjes së saj nga komunitetet jo shumicë.

Në pranverën e vitit të kaluar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, hodhi nismën për ndryshimin e mandatit të Forcës së Sigurisë nëpërmjet një ligji duke nxitur reagimin e NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara që kërkojnë krijimin e ushtrisë së Kosovës nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese.

Por këto ndryshime varen nga vota e deputetëve të pakicave kombëtare dhe tash për tash janë të pamundura për shkak të qëndrimit kundërshtues të Beogradit dhe përfaqësuesve të serbëve të Kosovës ndaj themelimit të ushtrisë së saj./VOA

 

Fraksion.com