AktualitetBota+Të fundit

Orban forcon marrëdhëniet me Kremlinin

Rusia ka rikonfirmuar angazhimin për të investuar dhjetra miliarda dollarë në sektorin e energjisë së Hungarisë, pavarësisht sanksioneve evropiane kundër Moskës. Presidenti rus, Vladimir Putin shprehu mbështetjen për marrëveshjen pasi priti kryeministrin hungarez, Viktor Orban në Kremlin. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, vizita vjen ndërsa marrëdhëniet mes Brukselit dhe Budapestit kanë marrë një goditje tjetër.

Një mirëseardhje e ngrohtë nga Kremlini. Viktor Orban dhe Vladimir Putini, dy udhëheqës që drejtojnë me dorë të fortë dhe janë kundër liberalizmit perëndimor, kanë zhvilluar një marrëdhënie të afërt.

“Jam shumë i kënaqur që gjatë këtyre viteve, kemi ndërtuar marrëdhënie të balancuara dhe të qendrueshme”, shprehet kryeministri hungarez, Orban.

Partnerët e Hungarisë në Bashkimin Perëndimor, nuk i kanë të tilla marrëdhëniet me Rusinë. Por takimi kishte si synim jo vetëm miqësinë, por edhe biznesin. Hungaria mbështetet në masë të madhe tek Rusia për energjinë.

“Jo vetëm për gazin dhe mendoj se Hungaria merr tre të katërtat e gazit nga Rusia. Por edhe sepse mbi gjysma e energjisë elektrike të saj vjen nga komplekset bërthamore dhe 100 për qind e karburantit për këto komplekse vjen nga Rusia. Prandaj është shumë e lehtë për rusët që t’u kujtojnë hungarezëve se dimri i ftohtë po vjen, nëse duan të ushtrojnë ndikim politik”, thotë Ian Bond.

Presidenti Putin përsëriti angazhimin e Rusisë për investime në Hungari përmes gjigandit të saj shtetëror bërthamor.

“Rosatom do të fillojë të ndërtojë dy njësi të reja energjitike në kompleksin bërthamor Paks në të ardhmen e afërt”, tha Presidenti rus, Vladimir Putin.

Projekti bërthamor Paks ka shkaktuar alarm në Bruksel.

“Hungaria ka marrë një hua të madhe nga Rusia për mbuluar shpenzimet. Kjo është diçka që Komisioni Evropian për një kohë të gjatë e ka kundërshtuar dhe është përpjekur ta bllokojë. Me kalimin e kohës, Komisioni e lejoi, por tani marrëveshja ka probleme me vonesa, shpenzime mbi kosto dhe të tjera”, thotë zoti Bond.

Ndërsa Hungaria afrohet me Moskën, marrëdhëniet me Brukselin janë të akullta. Ligjvënësit e Bashkimit Evropian votuan javën e kaluar për të filluar masa ndëshkuese kundër Budapestit për mosrespektimin e traktateve të bllokut dhe shtetit ligjor.

Ndërkohë, Hungaria ka folur në mënyrë të vazhdueshme kundër sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë, që hynë në fuqi pas aneksimit të Krimesë nga Moska. Por deri tani, kryeministri Orban nuk ka votuar kundër këtyre masave në Këshillin Evropian, gjë që do të vendoste veton ndaj tyre.

“Por për të sfiduar pjesën tjetër të Evropës, tani që përballet me ndëshkim për shkelje të shtetit ligjor, ai mund të arrijë në përfundimin se ndoshta tani mund t’ia lejojë vetes që të bllokojë sanksionet ndaj Rusisë, kur t’u vijë radha për zgjatjen e afatit”, thotë zoti Bond.

Tani për tani duket se zotit Orban nuk është gati ta ndërmarrë këtë hap dramatik, megjithë marrëdhëniet e afërta me Moskën.

 

Fraksion.com