Manovrat e rrezikshme politike të Thaçit
Presidenti Hashim Thaçi po paralajmëron referendum dhe ndryshime kushtetuese në rast të arritjes së marrëveshjes finale me Serbinë.
Por, analistët politikë vlerësojnë se kreu i shtetit po synon që ta parapërgatitë opinionin për një marrëveshje të dhimbshme me Serbinë, përkatësisht një kompromis më të gjerë, shkruan sot gazeta “Zëri.info”.
Pas idesë për korrigjim të kufirit me Serbinë dhe se marrëveshjen finale do ta vendosë në referendum, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tashmë ka paralajmëruar edhe ndryshimin e Kushtetutës.
Një gjë e tillë, sipas tij, do të bëhet në rast të arritjes së marrëveshjes finale në kuadër të fazës finale të dialogut Kosovë – Serbi.
Monitoruesit e procesit të dialogut vlerësojnë se një ide e tillë e kreut të shtetit ka qenë e pritshme, pasi që pretendimi i tij për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën nuk mund të jetësohet me Kushtetutën aktuale.
Pos kësaj, ata shprehin frikën se ndryshimi i aktit më të lartë juridik do të mëtohet të bëhet edhe për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe (AKS), në mënyrë që AKS-ja të finalizohet me kompetenca ekzekutive.
Fraksion.com