AktualitetKosovaTë fundit

Kurti: Haradinaj dhe Limaj s’po e kuptojnë një gjë: Roli i tyre në dialog ishte episodik

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, ka ironizuar me propozimin e kryeministrit Ramush Haradinaj që Fatmir Limaj të jetë kryenegociator në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Kurti në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se Thaçi i mori Haradinajn dhe Limajn në Bruksel më 18 korrik dhe kaq ishte roli i tyre.

“Haradinaj do që Limaj të udhëheqë ekipin negociator. Haradinaj e Limaj nuk po kuptojnë. Ata i mori Thaçi pas vetes në Bruksel me 18 korrik. Kaq ishte roli i tyre. Episodik por impresiv”, ka shkruar Kurti për takimin në të cilin anëtarët e delegacionit njëri-tjetrin e quajtën “Bac”.

Kosova ende nuk ka arritur konsensus të brendshëm sa i përket paraqitjes në tavolinën negociuese me shtetin serb. Thaçi ka ngritur në opinion mundësinë e korrigjimit të kufirit, e cila sipas tij, nënkupton bashkimin e Luginës me Kosovën.

Mirëpo, për një gjë të tillë Thaçi ka hasur në kundërshtime të skenës politike, duke përfshirë mospajtimin e fortë nga opozita. Për shkak të kësaj, Lëvizja Vetëvendosje ka thirrur protestë më 29 shtator.

 

Fraksion.com