AktualitetKosovaTë fundit

Thaçi: Marrëveshja me Serbinë, stabilitet në Ballkan

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të martën se korrigjimi i kufirit me Serbinë është i domosdoshëm për të zgjidhur mosmarrëveshjet në mënyre paqësore dhe jo me luftë.

Ai i bëri këto komente në një konferencë për gazetarë, duke ju përgjigjur shqetësimeve të një dite më parë të kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili tha se “korrigjimi i kufijve rrezikon kthimin në të kaluarën tragjike”, ndërsa u bëri thirrje vendimmarrësve “të mos lejojnë që procesi ndërmjet Kosovës e Serbisë të shkojë në drejtimin e gabuar”.

Kjo nuk është hera e parë që dy udhëheqësit e institucioneve të Kosovës përballen me deklarata të ndryshme që nga hapja e debatit për ndryshimin e kufijve si rrugë për arritjen e marrëveshjes ndërmjet Kosovës e Serbisë.

Presidenti Thaçi tha se koha e luftërave ka përfunduar.

“Kush do që përmend luftën, kush do që të jetë ai, e di që nuk është ashtu siç flet. Koha e luftërave ka përfundu më 10 qershor 1999. Luftërat janë përmendur edhe me Mali të Zi për demarkacion, por ndodhi votimi emocional i kundërshtuesve të tyre në favor të demarkacionit. Askush nuk dëshiron luftë në Kosovë, mjaft kemi vuajtur nga tmerret, nga tragjeditë prandaj askush në Kosovë kush do që të jetë nuk dëshiron rikthim prapa. Edhe zoti Haradinaj dhe zoti Veseli janë mbështetës të dialogut, janë mbështetës të arritjes së një marrëveshjeje paqësore Kosovë-Serbi që nënkupton njohje reciproke dhe që Kosovës i hap rrugë në NATO dhe BE”,tha ai.

Presidenti Thaçi kritikoi edhe për siç tha përhapjen e dezinformatave se arritja e marrëveshjes Kosovë-Serbi, do të ndikojë në qëndrueshmërinë e rajonit. Ai tha se marrëveshja me Serbinë do të nënkuptonte më shumë paqe e qëndrueshmëri në rajon.

“Dua të siguroj që nuk do të ketë korrigjim të kufirit përgjatë vijave etnike, nuk do të ketë eksod të popullsisë dhe as efekt domino sa i përket qëndrueshmërisë së kësaj ane të Evropës”,tha ai.

Ai tha se me arritjen e marrëveshjes, pritet që të ndryshohet edhe kushtetuta e vendit dhe ndryshimi i dokumentit të presidentit Martti Ahtisaari në bazë të të cilit është shpallur edhe pavarësia e Kosovës. Presidenti Thaçi tha se serbët e Kosovës do t’i kenë të drejtat por jo edhe të drejtën e vetos.

“Respektim i plotë sipas standardeve më të larta, standard më të larta evropiane që ata ndjehen komod, mirë dhe të rahatuar për të jetuar në Kosovë, për t’u integruar në institucione qoftë në nivel qendror apo lokal, pa të drejtën e vetos sepse ne nuk mundemi edhe më tej të mbesim të bllokuar nga një grup parlamentar ose pse është shkruar një gjë e tillë në dokumentin e Ahtisarit. Ne duhet ta kuptojmë se në rast të arritjes së marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë për njohje reciproke do të ndryshoj edhe Kushtetuta e Kosovës, do të ndryshohet dhe plotësohet edhe dokumenti i presidentit Ahtasari dhe do të kemi një dokument të përputhshëm me realitetin e ri që do të krijohet”,tha presidenti Thaçi.

 

Fraksion.com