AktualitetOp-EdTë fundit

Hahn: Çdo votë është e rëndësishme në referendum

Komisioneri Europian për Zgjerimin Johannes Hahn jep në një intervistë me DW mesazhe në prag të referendumit në Maqedoni. Qytetarët duhet të japin votën të lirë dhe pasi kanë marrë informacione të pavarura.

    
Deutsche Welle: Komisar Hahn, sot u zhvillua Konferenca e dytë për media, organizuar nga Bashkimi Europian këtu në Shkup.  A shihni zhvillim pozitiv të medias që nga viti i kaluar? A jeni i kënaqur me lirinë e mediave në rajon?

Hahn: Ende jo. Unë shoh që vëmendja është përqëndruar më shumë, por të jem i sinqertë, do të doja të shihja progres më të shpejtë, stabilitet më të madh dhe më gjithëpërfshirëse. Në këtë kuadër është e rëndësishme që të takohemi një herë në vit me njëri tjetrin në rajon, për të diskutuar të gjitha aspektet. Mendoj, se është mirë që të dëgjosh përfaqësuesit nga sektori i biznesit të mediave që flasin për obligimet dhe sfidat e tyre, të dëgjosh nga gazetarët që flasin për eksperiencat e tyre, obligimet dhe kritikat.

Deutsche Welle: Ne kemi parë mbështetje shumë të madhe për Maqedoninë para referendumit. Liderët evropianë dhe botërorë kanë ardhur, politikanë po ashtu. Ju jeni sot këtu për të mbështetur referendumin, mendoj unë. Pse është referendumi kaq i rëndësishëm për Bashkimin Evropian dhe për Komisionin Europian, që referendumi të ketë sukses?

Hahn:  E para, zgjidhja e këtij konflikti ishte një nga shumë negociatat e drejtuara nga OKB dhe në shumë prej tyre nuk ka zgjidhje konkrete. Nga këto konflikte shumëvjeçare, që quhen “konflikte të ngrira”, nuk është zgjidhur asnjë. Në këtë kuadër ishte ngjarje e papritur që më në fund liderët arritën të binin dakord për diçka. Dhe kjo po shihet si rruga e duhur për gjithë rajonin, për t’iu bashkuar herët a vonë, shpresoj herët, Bashkimit Europian. Kështu që është vendimtare, është diçka që duhet njohur, që duhet komentuar. Prandaj Bashkimi Europian, por edhe përfaqësues të tjerë ndërkombëtarë janë këtu dhe kjo është normale, është normale që ata të jenë këtu dhe të tregojnë angazhimin e tyre.

Deutsche Welle: Ju u takuat sot me kryetarin e opozitës Mickovski, dhe jeni duke shkuar për në Shtip. Çfarë folët me Mickovskin dhe çfarë do i thoni qytetarëve në Shtip, ose në përgjithësi qytetarëve të Maqedonisë?

Hahn: Kudo ku ka zgjedhje dhe referendum, secili duhet të përdorë të drejtat demokratike, të marrë pjesë në votime, në zgjedhje. Siç e patë së fundmi në Mbretërinë e Bashkuar, çdo votë ka vlerën e vet. E ardhmja e vendit, brezi i ri dhe brezi i mesëm duhet të ketë interesim të madh për një të  ardhme, për zhvillimin  e vendit të tyre. Ata duhet ta japin votën të lirë, duhet të marrin vendim duke marrë informacione serioze, shpërndarë nga media të pavarura.

Deutsche Welle. Cilat janë pasojat nëse referendum nuk ka sukses?

Hahn: Nëse referendumi nuk ka sukses, statusi që ka referendumi është konsultativ, vendimin e fundit e merr parlamenti në Shkup. Sigurisht që referendumi është një tregues. Unë mendoj se njerëzit duhet të jenë të ndërgjegjshëm për koseguencat. Vendi ka ngecur më shumë se dhjetë vjet për fillimin e negociatave. Partitë politike në mënyrë të përsëritur kanë folur për angazimin e vendit në Aleancën Euroatlantike. Në teori, shpresoj edhe në praktikë ekziston një mbështetje unanime e gjithë vendimmarrësve në politikë. Sigurisht që mund të diskutohet një element apo një tjetër. Por tani kemi të bëjmë me perspektivën në përgjithësi. Pjesë e demokracisë është të bësh një marrëveshje të mirë. Një marrëveshje e mirë është një kompromis, ku secili duhet të heqë dorë nga diçka në mënyrë që të përfitojë shumë më tepër. Kjo është ajo që është arritur. Tani radhën e kanë qytetarët, ata janë souverenët, ata duhet të marrin vendimin. Kërkesa ime është vetëm që ata të shfrytëzojnë këtë oportunitet.

Deutsche Welle: Pyetja e fundit. Së fundmi Kosova është e hapur në negociatat midis Prishtinës dhe Beogradit. A është Komisioni Europian i gatshëm të mbështesë këmbime territoriale, siç është folur nga presidentët Thaçi dhe Vuçiç, nëse kjo do të sillte zgjidhjen përfundimtare të krizës?

Hahn: Siç e kam thënë disa herë javët e fundit, është shumë herët të thuhet diçka rreth kësaj çështjeje. Kërkesa ime ka qenë dhe është „leri ata të bisedojnë”. Ata janë të vetëdijshëm tani që kjo ide u bë publike dhe cilat janë detyrimet, jo vetëm nga qytetarët por edhe nga komuniteti ndërkombëtar. Është e qartë që secili po sheh të gjejë një zgjidhje. Por secili e ka të qartë dhe e ka shprehur, se zgjidhja duhet të kontribuojë për më shumë stabilitet në rajon, jo për të kundërtën./DW

 

Fraksion.com