AktualitetOp-EdTë fundit

25 vjet nga tërheqja e rusëve nga Polonia

Nga Monika Sieradzka

 

Më 17 shtator 1993 trupat ruse u larguan nga Polonia pas 48 vjetësh. Tërheqja e trupave nga Evropa Lindore u hapi Polonisë dhe shteteve të tjera të Evropës Lindore rrugën për në NATO.

17 shtatori 1993 u kthye në një nga pikat kulmore të karrrierës politike të Presidentit Lech Wałęsa. Tërheqja e ushtarëve rusë, të cilët qenë stacionuar që prej 1945-ës në Poloni dhe që konsideroheshin simbol i shtypjes komuniste po i afrohej fundit. Oficerët e fundit qenë larguar një ditë më parë nga kuartieri kryesor Legnitz dhe komandanti i tyre gjenerali Leonid Kovaljov i raportoi solemnisht kryetarit të shtetit përfundimin e tërheqjes së trupave. Skena ku u zhvillua e gjitha ishte oborri i brendshëm i pallatit Belvedere në Varshavë.

Fundi i pushtimit

Kjo ditë kishte një simbolikë të fortë. Saktësisht 54 vjet më parë, më 17 shtator 1939, pra pak pas sulmit sovjetik në Poloni, sovjetikët patën marshuar në rajonet lindore të Polonisë dhe krahas Gjermanisë u bënë pushtuesi i dytë i vendit. Lech Wałęsa foli për një datë “të dhimbshme dhe fatale”.

“Me ditën e sotme merr fund një epokë e caktuar në historinë tonë të përbashkët. Vjen drejtësia historike. Në territorin e shtetit polak nuk ka më trupa të huaja”, tha Wałęsa. Një deklaratë, që po të kesh parasysh historinë polake ka një rëndësi të veçantë.

Polonia nën kontroll sovjetik

Trupat sovjetike qenë stacionuar në Poloni që prej fundit të luftës, kur Polonia dhe shtete të tjera evropianolindore u bënë pjesë e sferës sovjetike të ndikimit në Evropë. Në qershor 1945 numri i trupave sovjetike në Poloni arrinte rreth 300.000 ushtarë. Detyra e tyre qe që të siguronin kontrollin e Polonisë nga qeveria provizore komuniste. Oficerë sovjetikë morën pozicione kyçe në ministrinë e Mbrojtjes dhe qenë komandantë në ushtrinë polake.

Vetëm në vitin 1956 u nënshkrua një marrëveshje formale midis dy shteteve, e cila lejonte stacionimin e deri 66.000 sovjetikëve. Prania ushtarake në Poloni dhe në shtete të tjera evropianolindore kishte para së gjithash rëndësi politike, sepse me këtë shenjoheshin qartë Perdja e Hekurt dhe në këtë mënyrë ndarja e Evropës në Lindje dhe Perëndim.

Riorientimi politik në Kremlin

Kur në 1989 ra komunizmi, nisi edhe Moska t’i reduktojë gradualisht trupat e saj. Sipas Andrzej Friszke, historianit të Akademisë Polake të Shkencave, puçi i Janajevit i gushtit 1991 dhe lufta pasuese për pushtet në Kremlin e përshpejtoi tërheqjen e trupave sovjetike nga Polonia.

Prej 1991 deri 1993, 56.000 ushtarakë rusë, 7.500 punonjës civilë dhe 40.000 anëtarë të familjes u larguan nga Polonia. 600 tanke, 200 avionë, 90.000 tonë municion dhe raketa taktike për armë bërthamore u transportuan në Rusi. Ushtria sovjetike pati 70.000 hektarë tokë në dispozicion në Poloni, shumica në rajonet perëndimore të Polonisë, një pjesë e të cilave pësuan dëme të mëdha ekologjike. Polonia kërkoi nga Moska dëmshpërblim për këtë, por nuk e mori kurrë.

Në fazën e fundit të tërheqjes së trupave, Presidenti i atëhershëm rus Boris Jelzin vizitoi Varshavën. Presidenti i Polonisë Lech Wałęsa e shfrytëzoi këtë rast për t’i folur atij për vizionin e tij, që Polonia të mund të bëhej në të ardhmen anëtare e NATO-s. Bisedimet e gjata u zhvilluan në mbrëmje, në një banket.

Rezultati të nesërmen qe i papritur, sepse komunikata përfundimtare fliste krejt papritur për mirëkuptimin rus për planet e Polonisë për në NATO. Të habitur qenë para së gjithash bashkëpunëtorët e Presidentit rus, të cilët pas kthimit e bënë që ta tërheqë me shkrim premtimin që pati dhënë në Varshavë. Por deklarata e tij, megjithë tërheqjen e mëvonshme të saj, e inkurajoi Poloninë dhe shtetet e tjera të Evropës Lindore për të ndjekur plane ambicioze për NATO-n, thotë historiani Friszke. Me vazhdimin e stacionimit të trupave sovjetike kjo nuk do të kishte qenë e mundur./DW

 

Fraksion.com