Taksë për makinat, Kombet e Bashkuara: Mbi 60 % e mjeteve të regjistruara së fundmi, të përdorura
Të paktën 60 për qind e makinave të regjistruara së fundmi rezultojnë të jenë të përdorura. Ky është një nivel që konsiderohet i lartë nga Komisioni Ekonomik për Europën pranë Kombeve të Bashkuara i cili duke iu referuar problematikës së cilësisë së ajrit nënvizon se kontibutin kryesor në ndotje e kanë pikërisht këto mjete.
Në rishikimin e tretë mjdesior të publikuar këtë shtator, pas atij të dytë të bërë në vitin 2012 Kombet e Bashkuara theksojnë disa nga aspektet ku është bërë përparim dhe disa të tjera ku duhet të merren masa konkrete.
Transporti duket se nuk është pika jonë e fortë e përparimit duke qenë se sipas raportit nuk janë marrë masat e nevojshme për të dekurajuar tendencën e importit të makinave të përdorura përmes një sistemi taksimi që rëndon më shumë ndotesit e ajrit.
“Të paktën 60 për qind e makinave të regjistruara së fundmi janë të përdoura. Kjo do të thotë që më shumë makina që ndotin mjedisin hyjnë në tregun shqiptar. Referuar të dhënave të ndotjes të vitit 2015 mbi emisionet e ajrit transporti rrugor përbënte 73 për qind të çlirimit të NOx” thuhet në raport i cili bën edhe disa rekomandime për të ndryshuar këtë situatë.
Së pari nënvizohet që të ndërmetet një plan transporti i qëndrueshëm dhe të zbatohet duke parashikuar edhe provigjone. Së dyti të adoptohet taksimi i rrugës dhe makinës duke u siguruar që pronarët e mjeteve që ndotin më shumë të paguajnë më shumë taksa. Të sigurohet që vetëm mjetet të një niveli të barabartë me standardet më të fundit EURO të lejohen që të importohen.
I njëjti raport ndalet edhe tek infrastruktura duke theksuar se Shqipëria ka marrë masa domethënëse për të përmirësuar transportin në vitet e fundit me projekte të mëdha infrastrukture dhe ndryshime politikash për të stimuluar rritjen e sektorit por ajo që mbetet pas dhe që duhet të ishte pjesë integrale është transporti hekurudhor.
Në këtë kontekst Kombet e Bashkuara vlerësojnë se ka nevojë për investime dhe përmirësime në këtë sektor që ka njohur vetëm rënie si dhe të shihen hapësirat për sigurimin e investimeve në stancionet e transportit publik të maksimizojnë mundëistë e transportit multimodal./Monitor
Fraksion.com