Rruga e Kombit nga sot me pagesë; Skema që po zbatohet për automjetet
Ka nisur sot zbatimi i tarifës për kalimin në Rrugën e Kombit ashtu sikurse ishte paralajmëruar më herët nga kompania koncesionare dhe qeveria. Të gjithë ata që kalojnë nga në këtë rrugë do paguajnë një tarifë të paracaktuar më herët e cila do të variojë nga lloji i mjetit që disponojnë. Kështu për automjetet 4+1 tarifa e kalimit është 5 euro apo 660 lekë. Biçikletat dhe automjetet me 3 rrota do të paguajnë 330 lekë kurse automjetet komercialë me dy akse dhe 6 rrota (furgonë) 1490 lekë. Kamionët e mesëm dhe autobusët e rëndë përfshirë mjetet me lartësi 2.7 metra do të paguajnë 2140 lekë dhe kategoria e fundit kamionët e rëndë me katër akse apo më shumë do të paguajnë 2970 lekë.
Pavarësisht çmimeve standarde kompania koncesionare dhe qeveria negociuan edhe një grup të rri tarifash për ata që u quajtën përdorues të shpeshtë të rrugës. Kjo u pa e nevojshme në kushtet kur banorët e Kukësit e kundërshtuan masivisht tarifën në Milot-Moninë, diçka që u përshkallëzua deri në djegien e stacionit të pagesës.
Në 4 shtator të këtij viti qeveria miratoi vendimin që sanksiononte se cilët do të quhen përdorues të shpeshtë dhe lehtësia që do të përfitojnë ata në këtë tarifën.
Tarifat për përdoruesit e shpeshtë të rrugës
Tre janë kategoritë që cilësohen si përdorues të shpeshtë të rrugës ku së pari automjetet e banorëve të qarkut Kukës, së dyti autobusët nga dhe për në qarkun e Kukësi dhe së treti automjetet e përdoruesve të shpeshtë.
Në kategorinë e parë të automjeteve të banorëve të qarkut Kukës përfshihen klasat A e B të automjeteve për përdorim personal të regjistruara në qarkun Kukës. Këto automjete do të pajisen me OBU-në (On Board Unit) e sistemit Digital Pass dhe në OBU nuk do të regjistrohen më shumë se dy automjete për familje.
Tarifa e rrugës për 1 (një) kalim për të gjitha automjetet e regjistruara në qarkun Kukës për klasën A (motocikletë) do të jetë 50 (pesëdhjetë) lekë me TVSH dhe për automjetet e klasës B (automjet 4+1)do të jetë 100 (njëqind) lekë me TVSH. Kjo tarifë do të jetë e kufizuar për jo më shumë se 44 (dyzet e katër) kalime në muaj dhe e vlefshme për t’u përdorur brenda periudhës 1-mujore nga data e kryerjes së pagesës për këto kalime. Nëse tejkalohet numri tarifimi pas kalimit të 44 nis me tarifën normale 5 euro.
Në kategorinë e dytë ku përfshihen autobusët nga dhe për në qarkun e Kukësit. Tarifa e rrugës për këta autobusë do të jetë 100 (njëqind) lekë me TVSH për 1 (një) kalim.
Në kategorinë e tretë përfshihen përdoruesit e shpeshtë të autostradës Milot–Morinë, automjetet e të cilëve do të pajisen me OBU-në (kostoja e OBU-së do të përballohet nga këta përdorues të shpeshtë të autostradës) dhe nuk do të regjistrohen më shumë se dy automjete. Lidhur me kategorinë “Përdorues të shpeshtë”, pa dallim mjeti, ulja e tarifës do të bëhet për numër kalimesh, pasi sistemi do të funksionojë në mënyrë të tillë që do të regjistrojë numrin e kalimeve për çdo mjet, si më poshtë vijon:
i. Nga 20 (njëzet) deri në 30 (tridhjetë) kalime në muaj, përdoruesi i shpeshtë do të përfitojë një zbritje në masën 10 (dhjetë) %;
ii. Mbi 30 (tridhjetë) deri në 50 (pesëdhjetë) kalime në muaj, përdoruesi i shpeshtë do të përfitojë një zbritje në masën 20 (njëzet) %;
iii. Mbi 50 (pesëdhjetë) deri në 60 (gjashtëdhjetë) kalime në muaj, përdoruesi i shpeshtë do të përfitojë një zbritje në masën 30 (tridhjetë) %;
iv. Mbi 60 (gjashtëdhjetë) kalime në muaj, përdoruesi i shpeshtë do të përfitojë një zbritje në masën 40 (dyzet) %.