Roli i Dakotës së Veriut tek zgjedhjet e mesit të mandatit
Njëri prej shteteve amerikane me popullsi më të vogël mund të bëhet vendimtar në përcaktimin e jetës së amerikanëve për disa dekada: përmes konfirmimit nga Senati të Brett Kavanaugh, si anëtar i Gjykatës së Lartë. Zgjedhja e Presidentit Trump për Gjykatën mund të bëhet vota vendimtare për çështje si imigracioni, e drejta e privacisë, mundësia e përmbysjes së ligjit të abortit, e njohur si çështja Roe v. Wade. Senatorja demokrate e Dakotës së Veriut, Heidi Heitkamp, e cila e mbron të drejtën e zgjedhjes së gruas për abortin, shkurt pro zgjedhjes, dhe që po rikandidon për ligjvënëse, do të duhet të balancojë pikëpamjet pro-jetës të shumë prej votuesve të saj, kur është fjala për votimin e kandidaturës së zotit Kavanaugh. Në vazhdim ju njohim me përpjekjet e votuesve të Dakotës së Veriut, që zëri i tyre të dëgjohet:
Një sërë aktivitetesh në një mëngjes të tensionuar… Debati për abortin, që ka hyrë në një rrugë pa krye mes protestuesve me besime të thella fetare dhe vullnetarëve që thonë se mbrojnë të drejtat e grave – zhvillohet këtu çdo të mërkurë.
Asnjëra nga palët nuk i flet palës tjetër jashtë klinikës së vetme për aborte në Dakotën e Veriut – por ata janë duke ndjekur garën për rizgjedhjen e demokrates së vetme të këtij shteti, e cila është pro-abortit.
“Heidi Heitkamp mbështet abortin deri në muajin e nëntë, prandaj unë nuk mund të votoj kurrë për të.”- thotë një protestues.
Por Heitkamp mund të jetë vota vendimtare për konfirmimin e avokatit Brett Kavanuagh, për të cilin analistët ligjorë thonë se mund të sfidojë vendimin e vitit 1973 të Gjykatës së Lartë për ligjërimin e abortit.
“S’e imagjinoj dot presionin që ajo po kalon për t’u rizgjedhur në një zonë rurale, konservatore të një shteti pro republikanëve, që votoi me shumicë dërrmuese për zotin Trump.”- thotë Tammi Kromenaker, e klinikës për aborte
Sipas ligjit të Dakotës së Veriut, një vendim i Gjykatës së Lartë, që do të zhbënte ligjin Roe v. Wade, do ta mbyllte menjëherë klinikën, një mundësi që Kromenaker përpiqet të shmangë.
“Nuk duam të themi se gratë në Dakotën e Veriut do të kenë më pak të drejta se sa motrat e tyre në shtetet fqinje, prandaj ne jemi duke bërë gjithshka që kemi në dorë për ta theksuar këtë çështje, për t’ua bërë të njohur votuesve se zërat e tyre duhet të dëgjohen.”– thotë ajo.
Senatorja Heitkamp thotë se ajo duhet t’i konsiderojë të gjitha çështjet që do t’i dalin përpara zotit Kavanaugh – i cili mund të bëhet vota vendimtare në Gjykatë për çështje si imigracioni, e drejtate privacisë, si dhe e drejtën e abortit.
“Ky nuk është një gjykatës, që ka për të treguar se si do të votojë dhe as pritet ta bëjë këtë, por ai është një person, sjelljen e të cilit ne duhet ta kontrollojmë siç duhet”, – thotë ajo.
Por rivali i saj republikan thotë se çështja e abortit është kaq e rëndësishme për votuesit e Dakotës së Veriut, saqë u bë arsyeja që ai hyri në garë.
“Vendimi i Gjykatës së Lartë e ka vënë më tepër në qendër Dakotën e Veriut, prandaj banorët e ndjejnë përgjegjësinë e tyre, të rëndësishme për të ardhmen e vendit.”– thotë Cramer.
Në Fargo, një numër banorësh votuan për demokraten Hillary Clinton në vitin 2016, por në përgjithësi, shteti votoi për Donald Trumpin. Dhe këta votues duan që Heitkamp ta dijë, se emërimi i një anëtari të Gjykatës së Lartë pro-jetës, është një nga çështjet kryesore të zgjedhjeve.
Vullnetarët mblidhen para zyrës së senatores Heitkamp, për ta nxitur atë të votojë për zotin Kavanaugh. Por kjo nuk është vota e vetme që ata po përpiqen të fitojnë.
“Ne kemi vullnetarë që mbledhin vota duke vizituar njerëzit në mbarë Dakotën e Veriut, që duke trokitur derë më derë, u thonë banorëve të komunikojnë me Senatoren Heitkamp, për të kuptuar qëndrimin e saj për jetën,” – thotë një vullnetare.
Republikanët në Dakotën e Veriut janë të mendimit se këta votues do të ndikojnë tek vendimi i zonjës Heitkamp për Gjykatën e Lartë, madje edhe në se ata nuk do të votojnë për të në nëntor.
“Si demokrate në një shtet që voton kryesisht për republikanët, ajo e pranon mbështetjen e madhe për vlerat kristiane, për jetën.”- thotë një zyrtar republikan.
Një realitet, të cilin edhe vulletarët e klinikës e pranojnë.
“Heidi është kandidatja më e mirë që kemi dhe më e mira me të cilën shpresojmë të shkojmë përpara.”– thotë një vullnetare.
Ky është një debat për pasojat kombëtare, që mund të konkretizohet tek një numër shumë i vogël votash./VOA
Fraksion.com