Rama: Pesëmbëdhjetë vjet luftë për të hapur shkollën “Kosova”
Kryeministri Edi Rama, sot në ditën e parë të fillimit të vitit të ri shkollor 2018-2019, përmes një statusi në Facebook thekson se pas një lufte afro 15-vjeçare me ata që morën padrejtësisht shkollën 9-vjeçare ‘Kosova’, tashmë ky institucion ka rilindur.
Kjo shkollë është simbol i historisë së Tiranës, i cila do të inaugurohet sot me rastin e kësaj dite të shënuar thotë kryeministri.
Në videon e postuar shihet edhe një nga personazhet e dashura për publikun shqiptar, këngëtari dhe moderatori Ardit Gjebrea, i cili si një nga ish- nxënësit e shkollës ‘Kosova’, shpreh emocionet për ndryshimet që ka pësuar kjo shkollë.
Statusi i z Rama:
“MIRËMËNGJES
dhe pas një lufte afro pesëmbëdhjetë vjeçare, me ata që e morën padrejtësisht si pronë, me ata që e dogjën, pabesisht si godinë, me ata që përmes gjykatësish të korruptuar donin ta kthenin këndin e saj historik në pallat, kam kënaqësinë t’ju uroj të gjithëve një vit të gëzuar e të suksesshëm shkollor, me “Kosovën” e rilindur, shkollën simbol të historisë së Tiranës që sot u hap fëmijëve dyert e të ardhmes, si mishërimi i ambicies sonë për Tiranën që duam, për Shqipërinë që duam”, shkruan Rama në mesazhin e tij.
Së bashku me ministren e Arsimit, Lindita Nikolla dhe kryebashkiakun Veliaj kryeministri Rama ka zgjedhur shkollën “Kosova” për të uruar ditën e parë të shkollës, 17 vite pas mbylljes dhe shembjes së saj.
Fraksion.com