Kosovë: “Veteranët”, publikimi i emrave është shkelje e privatësisë
Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione ditëve në vijim do të dalë me një deklaratë si reagim i publikimit të emrave të veteranëve për të cilët thuhet se nuk kanë qenë në luftën e UÇK-së.
Kështu u dakorduan anëtarët e komisionit gjatë mbledhjes së mbajtur në të cilën ndër të tjera diskutuan edhe për punën e bërë në sesionin vjeshtor si dhe për atë se çfarë duhet të bëhet në atë vjeshtor.
” Të gjithë ata njerëz që e kanë emrin në listat, që thuhet se janë manipulues, mendoj se dikush i ka bërë me qëllim të kundërt. Kjo huti që është shkaktu është një problem i jashtëzakonshëm. Nuk e di kush qëndron pas kësaj gjendje. Kjo është plaga më e rëndë që e kam parë tek njerëzit e ndershëm. Ta drejtojmë këtë shqetësim tonin dhe të kërkojmë llogari tek organet përgjegjëse që kanë gisht në këtë katrahurë,” shprehet Shemsi Syla, anëtar i Komisionit, ushtarak në pension.
Deputeti Fisnik Ismajli publikimin e emrave e konsideron si shkelje të privatësisë.
“Po duket me qenë e qëllimshme por qysh me ju qas. Prej kah dul ai dokument. Si guxon me u publiku emrat për një rast që është duke u hetu. Po e kom problematike faktin që janë publiku emrat e njerëzve që po akuzohen me qenë mashtrues është shkelje e rëndë e privatësisë”.
Ndërsa kryetarja e komisionit,Duda Blaje, tha se për vlerësimet e mëtutjeshme të komisionit do të konsultohen edhe me Zyrën e Avokatit të Popullit.
Paraprakisht komisioni u dakordua për punën që duhet të bëhet.
Gjatë muajit shtator anëtarët e komisionit do të qëndrojnë për një vizitë në Meje për të parë nga afër gjendjen e kompleksit.
“Vizitën në Meje me realizu këtë muaj. Në tetor vizita tek qendra e mirëqenies dhe tek shtëpia e pleqve në Deçan dhe Prizren”, tha Duda Balje gjatë planifikimit të sesionit vjeshtor.
Anëtarët e komisionit kishin edhe disa vërejtje sa i përket sesionit pranveror.
Deputetja Mexhide Mjaku Topalli,tha se në raportin e sesionit pranveror mungojnë disa takime.
“Kam parë që mungojnë disa takime që i kemi pasur si komision, mungon takimi në FSK-në, mungon edhe takimi që e kemi pas me Agjencionin për Barazi Gjinore. Do të ishte me interes që të përfshihen edhe takimet që i kemi realizu”.
Ndërsa deputetja nga radhët e AAK-së, Teuta Haxhiu, tha se në raport do të duhej që të detajohej ajo që është arritur në takimet e mbajtura e jo vetëm sa takime apo vizita janë realizuar.
“Diçka që është produkt i takimeve është më me interes. Me u cek se çfarë ka dal si produkt i takimeve. Është mirë që të detajohet çfarë ka dal nga takimi”
Fraksion.com