Brozi: Ja se si kapen “Peshqit e mëdhenj”
Ish-kryetari i Gjykatës së Kasacionit Zef Brozi, i cili jeton në SHBA duke folur për vetingun në Shqipëri, përfshirë atë të drejtësisë dhe politikës, thotë se për të arrestuar të ashtuquajturit “peshq të mëdhenj” duhen prokurorë dhe gjyqtarë të huaj.
“Do të ishte një ndihmesë e madhe dhe efikase nëse Bashkimi Europian dhe qeveria Amerikane do të dërgonin në Shqipëri disa prokurorë, hetues dhe gjyqtarë me kompetenca të plota për hetimin e gjykimin e korrupsionit të pushtetarëve e ish pushtetarëve, terrorizmin dhe krimin e organizuar. Opozita dhe Mazhoranca është mirë t’ia bëjnë një kërkesë të tillë institucioneve përkatëse ndërkombëtare dhe të miratojnë ligjet përkatëse”, thekson ai.
Sipas Brozit bojkoti i parlamentit nga opozita ka të bëjë me bllokimin e SPAK dhe Byrosë së Hetimit, dy institucione që pritet të ngrihen dhe shihen si hetueset e korrupsionit në nivele të larta politike.
“Bojkoti i Parlamentit që opozita po bën edhe këtë muaj është vazhdimësi e strategjisë së saj anti-reformë. SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit janë institucionet e reja që shpresojmë të bëjnë atë që i kërkohet Shqipërisë për ndëshkimin e korrupsionit. Dihet se të korruptuarit e opozitës dhe mazhorancës do vazhdojnë të pengojnë e zvarrisin me sa munden krijimin e këtyre organeve”, thotë Brozi në një intervistë për Temën.
Fraksion.com