Majko: Trima s’kanë vetëm jugu dhe veriu, Shqipëria e Mesme i ka dalë zot vatanit
Tirana përkujtoi sot 76-vjetorin e Konferencës së Pezës, një prej ngjarjeve më të mëdha e më të rëndësishme të popullit shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore, për bashkimin e shqiptarëve kundër pushtuesve.
Veteranë lufte, përfaqësues të ekzekutivit, deputetë e drejtues të pushtetit vendor, nderuan veprën dhe sakrificën e të gjithë të rinjve e të rejave që iu bashkuan kauzës së luftës për çlirimin e vendit.
Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko ka thënë se burra trima s’ka vetëm në jug dhe veriu, por edhe Shqipëria e Mesme.
“Kujtojmë ato ditë të veçanta 76 vjet më parë kur ekzistonin dy Shqipëri, njëra nën okupim dhe njëra këtu në Pezë, ku nisi shkëndija. Duhet t’i themi disa gjërat ashtu siç janë për historinë: Ata që thonë jo veriu, jo jugu, ta dinë se edhe në Shqipërinë e mesme ka pasur burra trima që i kanë dalë zot vatanit. Kjo është arsyeja pse mblidhemi sot të gjithë këtu, për të kujtuar dhe për t’i dhënë vendin që duhet asaj që është shkruajtur nga historia dhe nga aktet që i bëjnë nder këtij populli dhe këtij kombi.“, deklaroi Majko
Fraksion.com