AktualitetNATO/BETë fundit

Gjermani: Koalicioni qeveritar vazhdon mosmarrëveshjet

Megjithë bisedën urgjente, koalicioni qeveritar vazhdon debatin për Presidentin e Zyrës së Mbrojtjes së Kushtetutës, Hans Georg Maaßen. Ministri i Brendshëm i jep mbështetje, por te CDU ka nisur distancimi i kujdesshëm.

    
U deshën vetëm pak orë: që në mëngjesin pas bisedës së krizës në Zyrën Kancelarore në medie qarkulluan deklarata të politikanëve të SPD-së, që kërkonin dorëheqjen e shefit të Zyrës së Mbrojtjes së Rendit Kushtetues, Hans Georg Maaßen. Kryeministri i Saksonisë së Poshtme, Stephan Weil e deklaroi mbrojtësin kryesor të kushtetutës si “të patolerueshëm”. Kryetari i të rinjve socialdemokratë JUSOS, Kevin Kühnert deklaroi në emër të kryesisë së SPD-së se Maaßen nuk mund të mbahet më në post. Sekretari i CSU-së u përgjigj se kërkesa të tilla janë krejt “të papërshtatshme”, SPD përpiqet të ndjellë një “krizë të koalicionit”.

Mall për qetësi

Biseda e krerëve të koalicionit me sa duket nuk solli qetësi në konflikt. Kjo në një kohë kur qetësia do të ishte ajo që kërkojnë shumë në politikën e Berlinit. Sapo ka kaluar një vit që gjermanët e zgjodhën këtë Parlament, vetëm gjysmë viti që kur është krijuar koalicioni qeveritar. Kriza aktuale e koalicionit është mosmarrëveshja e dytë brenda gjashtë muajve, në të cilën të paktën njeri nga partnerët luajti me mendimin për ta hedhur në erë koalicionin. SPD revoltohet para së gjithash për shkak të manovrimeve dhe veprimeve jotransparente të ministrit të Brendshëm Horst Seehofer, në varësinë e të cilit është Zyra e Mbrojtjes së Rendit Kushtetues.

Pasi Presidenti i kësaj Zyre e kundërshtoi publikisht kancelaren Merkel për vlerësimin e dhunës së djathtë në Chemnitz, Seehoferi i mbrojti krahët Maaßenit. Kjo nuk ndryshoi as kur u bë e njohur se Maaßeni kishte përcjellë informacione delikate të AfD. Thirrjet për shkarkimin e Maaßenit janë në thelb thirrje se duhet të largohet shefi i CSU-së dhe ministri i Brendshëm. Por zërat që e thonë këtë vijnë nga radha e dytë. “Problemi i mirëfilltë është zoti Seehofer”, i tha kryetari i SPD-së në Parlamentin e Landit të Rinit Verior-Vestfalisë, Thomas Kutschaty revistës Der Spiegel. “Po të mbetet ministër i Brendshëm zoti Seehofer, nuk e di nëse do të mbajë deri në fund të legjislaturës koalicioni”.

Distancim i kujdesshëm i CDU-së

Zëra të tillë nga provinca janë vërtet jo vendimtare, por ato dëgjohen me siguri edhe në Berlin. Sekretarja e Përgjithshme e CDU-së Annegret Kramp-Karrenbauer është një nga personat më të besuar të Kancelares. Ajo nuk e përjashton më një përjashtim të Maaßenit: “Besoj se edhe për një institucion sigurie është i rëndësishëm që të gëzojë mbështetjen e të gjithë qeverisë federale. Kjo sigurisht do të jetë objekt i vëzhgimit të bisedimeve të ardhshme.”/DW

 

Fraksion.com