“Pa Ujmanin (Gazivodën), ndalet ekonomia e Kosovës”
Liqeni i Ujmanit është shndërruar kohët e fundit në mollë sherri mes Kosovës dhe Serbisë. Këtë dëshmojnë edhe deklaratat e politikanëve. Po cila është rëndësia e këtij liqeni dhe si mund të zgjidhet kjo çështje?
DW: Ku qëndron rëndësia strategjike e liqenit të Ujmanit?
Ljubisha Miaçiq: Liqeni i Ujmanit është krijuar në radhë të parë për furnizim me ujë, ndërsa prodhimi i energjisë elektrike ka filluar më vonë, sepse është parë që këtu ka edhe potenciale të tilla. Të gjitha instalimet janë në territorin e komunës Zubin Potok dhe atje punojnë vetëm serbët. Por përveç rrogave, serbët e veriut të Kosovës nga ky liqen nuk marrin asgjë tjetër. Të ardhurat i merr kompania „Ibër-Lepenci”, e cila gjendet në Prishtinë dhe e cila në bord nuk ka asnjë serb, që do të thotë se ekziston një lloj disbalanci i shfrytëzimit të resurseve. Liqeni i Ujmanit është një çështje e kontestimeve të mëdha për pronësinë, sepse pa këtë liqen nuk ka as ekonomi në Kosovë. Pa këto resurse ekonomia ndalet dhe jo vetëm ekonomia e industrisë elektrike në Obiliq, sepse uji shfrytëzohet atje për ftohje në centralin Kosova B, por ky ujë shfrytëzohet edhe për industrinë në Feronikël, Trepçë dhe për bujqësinë në vend.
Pse është i rëndësishëm për Serbinë?
Për Serbinë në këtë moment është më shumë i rëndësishëm si pikë referimi në negociata, por në të ardhmen mund të jetë shumë i rëndësishëm, sepse shfrytëzimi i tepërt i rrjedhës së ujit në lumin Ibër, mund të rrezikojë ekonominë e Serbisë – në hapsirën e Rashkës dhe Kralevës. Nëse shfrytëzohet një sasi edhe më e madhe e ujit se ajo sot, do të humbiste uji në puse, do të pakësohej sasi e ujrave nëntokësore në këto rajone të Serbisë. Ose, për shemull, Serbia planifikon të ndërtojë mini hidrocentrale në Rashkië dhe Kralevë, e nëse ulett sasia e ujit dhe shfrytëzohet në Kosovë, atëherë askush nuk do të investonte në këto projekte në Serbi.
Cilat janë argumentet e njërës dhe të palës tjetër?
Duhet të nisemi nga gjërat elementare – cilat janë resurset e Ujmanit, digat dhe instalimet atje, apo uji dhe prej nga vjen ky ujë? Uji vjen nga Serbia. Kosova nuk ka burim të ujit në lumin Ibër. E dyta: Kompania “Ibër Lepenci” është paguar me kredi nga Banka Botërore. Ajo ka paguar 45 milionë, por kostot kanë kushtuar shumë më shumë dhe Serbia e ka marrë obligimin e kthimit të borxheve, sipas marrëveshjes për sukcesion, sepse pajisjet gjenden në terriorin e saj. Kjo do të thotë se i gjithë dokumentacioni dhe të gjitha pagesat janë bërë nga Serbia. Pasi Kosova nuk njihet nga Serbia, borxhet dhe të gjitha pagesat e tjera ende janë në dokumentacionet e Republikës së Serbisë, ndaj Kosova nuk ka këtu shumë argumente. Madje edhe sikur Serbia ta njihte Kosovën, ajo do të duhej t’i paguante këto borxhe. Argumenti i vetëm i palës kosovare është se ata kanë nevojë për ujë dhe se pa këtë ujë nuk do të kishte as ekonomi. Rezervuarët e tjerë që kanë nuk i plotësojnë nevojat e Kosovës dhe nevojat e investimeve. Ekonomia e Kosovës do të ndalej pa Ujmanin.
Si mund të zgjidhet kjo nyje?
Sikur të kishim një shpërndarje perfekte të resurseve, sikur të ndahej prodhimi dhe distribucioni, atëherë shqiptarët dhe serbët do të detyroheshin të bashkëpunojnë. Kjo do të thotë se Serbia ka kapacitetet për prodhime, ndërsa Kosova për distribucion, respektivisht që Serbia të prodhjojë dhe ofrojë ujë, ndërsa Kosova të marrë kuata të caktuara uji, ta shpërndajë atë dhe t’i marrë pagesat nga ata që e shfrytëzojnë. Në këtë mënyrë palët do të detyroheshin të bashkëpunojnë. Serbët në këtë mënyrë do të përfitonin nga të ardhurat me të cilat mund të financojnë zhvillimin e mëtutjeshëm, ndërsa Kosova do të kishte sasi të mjaftueshëm të ujit, për një kohë më të gjatë.
Mungesa e marrëveshjes mund të rezultojë me ndalimin e ujit nga Serbia në pjesën e epërme dhe drejtimin e ujit në drejtim tjetër, pra drejt komunave Tutin dhe Novi Pazar në Serbi dhe kthimin më pas në shtratin e lumit Ibër në ato pjesë – pa i shkelur fare konventat ndërkombëtare. Kosova nga ana tjetër me shfrytëzimin e tepërt të ujit do të bënte shkelje, madje edhe sikur Serbia të binte dakord, sepse Rumania dhe Bullgaria mund të ankohen.
A jemi më afër zgjidhjes pas vizitës së presidentit Vuçiq në Kosovë?
Një diskutim real për Ujmanin nuk ka ekzistuar deri tani, përveç deklaratave populiste. Tani po mendohet se cila palë do ta hedhë e para në tavolinë këtë çështje, sepse kështu do të tregonte dobësi, ndaj në këtë moment kemi lëvzije në kornizat nacionaliste dhe mungesë kompromisi. Deklarata e Kadri Veselit se Ujmani është i Kosovës është simptomatike. E deklarata e Aleksandar Vuçiqit dëshmon se pozicioni i tij është më i fuqishëm sesa ka menduar, por në këtë moment nuk do ta ekspozojë shumë, për të mos frikësuar palën tjetër, e cila mund të vendosë që të mos bisedojë fare për këtë çështje. Unë mendoj se kjo është një çështje par excellence ku palët mund ta hedhin këtë temë në tavolinë, mund të bahkëpunojnë dhe mund të vendosin themelet e paqës në këtë shekull./DW
Fraksion.com