Në BE mund të hiqet rituali i ndryshimit të orës
Rituali i ndryshimit të orës dy herë në vit mund të hiqet, të paktën në Bashkimin Evropian. Komisioni Europian propozoi sot një ndryshim ligjor që do t’i jepte fund të ndryshimit të orës mes verës dhe dimrit.
Komisionerja e Transportit Violeta Bulc tha në një konferencë për shtyp se organi ekzekutiv i BE-së do ta linte në dorën e qeverive në mbarë bllokun për të rënë dakord nëse do të përdorin përgjithmonë kohën e verës apo atë të dimrit.
Ajo shtoi se propozimi parashikon që tetori i vitit 2019 të jetë hera e fundit që evropianët do të duhet të rregullojnë orët e tyre:
“Nëse Këshilli dhe Parlamenti Evropian do të vendosin të mbështesin propozimin e Komisionit, tetori i vitit të ardhshëm do të jetë hera e fundit që ndryshojmë orën. Ose do të qëndrojmë me kohën e verës ose, ato vende që vendosin të përdorin kohën e dimrit, do ta ndryshojnë atë në dimër në tetor”.
Që nga viti 1996, sipas ligjit të BE-së ka lëvizur koha përpara me një orë të dielën e fundit të marsit dhe mbrapa me një orë të dielën e fundit të tetorit.
Por Finlanda, bëri thirrje këtë vit që BE të ndalë këtë praktikë, të cilën kritikët thonë se mund të shkaktojë probleme afatgjata shëndetësore, veçanërisht në mesin e fëmijëve të vegjël dhe të moshuarve. Studimet kanë treguar se ndryshimi i orës prish oraret e gjumit dhe mund të ndikojë në produktivitetin në punë. Më shumë se 80 për qind e shtetasve të BE-së duan të shfuqizohet ndryshimi i orës.
Çdo ndryshim do të kërkojë miratim nga qeveritë kombëtare dhe nga Parlamenti Evropian për t’u bërë ligj – një proces që mund të zgjasë deri në dy vjet.