AktualitetKosovaTë fundit

Krasniqi insiston që çështjen e veteranëve s’e zgjidh drejtësia po politika, propozon që procesi të kthehet nga zero

Ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, insiston se çështjen e veteranëve të rremë nuk mund ta zgjidhë drejtësia dhe se këtë gjë duhet ta bëjë politika.

Në një prononcim, Krasniqi ka thënë se lajmi i sotëm që ka të bëjë me çështjen e “veteranëve” e ka shtyrë të mendojë e ka bërë që të mos heshtë.

“Nuk e kam asnjë arsyeje që të mbrojë ndonjë anëtarë të Komisionit Qeveritar, por kam obligim që të them se kjo çështje nuk mund të zgjidhet me Sistemin e Drejtësisë”, ka thënë Krasniqi, teksa ka dhënë përgjigjen pse mendon kësisoj.

“Se pari, mendoj se zgjidhja e këtij problemi është kryekreje politike e jo gjyqësore. Se dyti, drejtësia nuk do t’i arrin dot përgjegjësit kryesor të këtij dëmi e mashtrimi të madh të historisë e të ardhmërisë. Dhe se treti, po të dënoheshin të gjithë fajtorët, më shumë do t’i kushtonin buxhetit të Kosovës sesa numri mashtrues i ‘veteranëve’”, ka thënë Krasniqi.

Prandaj zgjedhjen e duhur duhet ta bëjë politika në Kuvendin e Kosovës, duke e kthyer ketë çështje nga fillimi, mendon ai.

“Shoqëria demokratike nuk duhet të luajë me fatin e asnjë individi, e sidomos atëherë kur përgjegjësit kryesorë mbesin të paprekur. Dhe krejt në fund, Veteranët e vërtetë, luftëtarët e lirisë ne një situatë të tillë do të duhej të deklaroheshin kundër këtij privilegji që deri të keqpërdorimi është ardhur për hir të votave që i kanë blerë të fuqishmit e politikës dhe të cilët këtij populli ia kanë bërë jetën ferr”, ka thënë Krasniqi.

 

Fraksion.com