AktualitetKosovaRajoniTë fundit

Drecun: Kosova duhet të heqë dorë nga krijimi i ushtrisë

Po vazhdojnë deklaratat e zyrtarëve serbë që kundërshtojnë miratimin e projektligjeve nga Qeveria e Kosovës që çojnë në rrugë formimin e ushtrisë së Kosovës.

Është kryetari i Komisionit Parlamentar për Kosovën, Milovan Drecun, i cili ka thënë se lëvizja e Qeverisë së Kosovës për formimin e ushtrisë, tregon ngurrimin e Prishtinës për të arritur marrëveshje përfundimtare me Beogradin.

Ai ka thënë se kjo nismë është e dëmshme dhe destabilizuese për dialogun që tani synohet një zgjidhje përfundimtare.

“Ky veprim tregon rritje e ngurrimit të Prishtinës për të arritur një marrëveshje përfundimtare me Beogradin dhe kjo sigurisht ka dëme dhe destabilizon dialogun në fushën e zgjidhjes përfundimtare të statusit të Kosovës”, thotë Drecun.

Drecun për Radio Televizionin Serb ka thënë se Kosova duhet të heqë dorë nga krijimi i ushtrisë pasi kjo është në kundërshtim të plotë me Rezolutën 1244, e cila përcakton se vetëm KFOR-i mund të jetë forcë ushtarake në Kosovë.

“Kjo do të thotë që duhet të ndryshohet Kushtetuta (e Kosovës) për të formuar të ashtuquajturat Forcat e Armatosura të Kosovës. Për të ndryshuar kushtetutën kërkohet miratimi edhe i përfaqësuesve serbë në Parlamentin e Kosovës, Lista Serbe nuk do të lejojë atë”, deklaroi ai.

Por edhe ministri serb i Mbrojtjes, Aleksander Vulin, ka thënë se ushtria e Kosovës, sipas tij, është një rrezik për sigurinë në rajon, duke u bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të reagojë në bazë të Rezolutës 1244, transmeton Lajmi.net.

“Ne i bëjmë thirrje Komunitetit Ndërkombëtar që të sigurojnë respektimin e Rezolutës 1244 dhe të mos lejojnë formimin e Forcave të Armatosura të cilat do ta rrezikonin sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës, mirëpo edhe të regjionit. Tentativa e Prishtinës për formimin e të ashtuquajturës ushtri të Kosovës është një plan për shkatërrimin e përpjekjeve të Vuçiqit për paqe”, ka thënë Vulin.

Madje, sipas Vulinit, qëllimi i vetëm i Prishtinës për formimin e ushtrisë është konflikti me Serbinë.

“Qëllimi i vetëm i formimit të ushtrisë është konflikti me Serbinë dhe ne nuk do të lejojmë krijimin e formacioneve që Haradinaj e Veseli të arrijnë deri në Nish”, ka thënë Vulin.

E Vulin shkoi edhe më larg në reagimin e tij, duke thënë se ushtria serbe është e gatshme të mbrojë qytetarët e vet pavarësisht gjithçkaje çka mund të ndodhë.
Kujtojmë se sot Qeveria e Kosovës miratoi projektligjin për transformimin e FSK-së në ushtri. Pas kësaj, i njëjti pritet të dërgohet në Kuvend.

 

Fraksion.com