AktualitetTë fundit

Avionët e “Air Albania” me emra poetësh, Rama: Do të çojmë nga Tirana në Nju Jork Imzot Nolin

U prezantua sot pasdite kompania ajore shqiptare e fluturimit “Air Albania”. Kompania u ngrit falë bashkëpunimit me “Turkish Airlines”, e cila ka ofruar avionët e saj, pilotët si dhe do të ketë përgjegjësinë e menaxhimit. Projekti për krijimin e “Air Albania”, u bë publik majin e vitit të shkuar, pasi mori mbështetjen e presidentit Turk Recep Tayyip Erdogan dhe të kryeministrit shqiptar Edi Rama. Kompania shqiptare do të nisë fluturimet e para të testimit në linjën Tiranë-Stamboll, me avionë Airbus A319, për të vijuar pas një muaji me Romën, Milanon, Bolonjën dhe Londrën. Brenda vitit të ardhshëm pritet që të realizohen dhe fluturime direkte me New York-un. Kryeministri Edi Rama, premtoi në ceremoninë e prezantimit, se kompania shqiptare do të ofrojë një shërbim dinjitoz dhe çmime konkurruese.

Avioni që u ul sot pasdite në pistën e aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”, përveç simboleve kombëtare shqiptare, mban dhe emrin e poetit të njohur Lasgush Poradeci. Avioni i dytë, do të ketë emrin e poetit tjetër shqiptar Migjeni, ndërsa siç njoftoi kryeministri Rama, ai që pritet të kryejë fluturimet drejt Shteteve të Bashkuara do të mbajë emrin e Fan Nolit.

Avioni i parë dhe Rama do të quhet “Lasgush” dhe synimi është që në fund të viti të ardhshëm avioni me emrin Fan Noli do të niset për në Nju Jork.

 Për ne që jemi të këtij vendi dhe jemi mësuar, me çka na kujton menjëherë ai që  Klemend Aderi e pagëzoi në 1875 si aparati fluturues që imiton zogun, shqiponja është gjëja e parë është që mendojmë sapo mendojmë për fluturimin. Me këtë rast mësuam që aparatet fluturues që imitojnë zogjtë duhet të kenë emra dhe zgjodhëm që shqiponjave tona tu vëme emrat e poetëve tanë. I pari është Lasgushi, tjetri që do të vijë menjëherë pas fluturimeve test që do të bëhen pas një muaji mes Tiranës dhe Stambollit për të filluar me pas me Romën, Milanon, Bolonjën dhe Londrën do të jetë Migjeni dhe ambicja jonë është që deri në fund të vitit të ardhshëm të çojmë nga Tirana në Nju Jork Imzot Nolin.”

Kryeministri Rama ngriti shqetësimin e çmimeve të larta të biletave, për të cilat tha se është grabitje për qytetarët. Ai u shpreh se ndërtimi i tre aeroporteve të tjera, por edhe kompania “Air Albania” do të ndikojnë në uljen e çmimit të biletave.

Ne jemi të fokusuar që paralelisht me fuqizimin e kompanisë së flamurit të mos jemi vendi me vetëm një aeroport,  por të kemi edhe tre të tjera, atë të Vlorës, Kukësit dhe Sarandës. Unë i dëgjoj dhe i dëgjoj me vëmendje, nganjëherë përvecse mërzitë dhe acarohem nga ankesat e panumërta, por të drejta të shqiptarëve që rrojnë gjatë gjithë vitit në emigracion me dëshirë të kalojnë pushimet në Shqipëri dhe pastaj të paguajnë bileta që të heqin mendjen e kokës. Janë në të drejtën e tyre që të gjithë atë mllef që akumulohet nga kjo grabitje që ju bëhet për shkak të mungesës së disa kushteve që ne po i krijojmë hap pas hapi ta derdhin mbi qeverinë dhe mbi mua. Ama nga ana tjetër kjo është kostoja e trashëgimisë shumë të vështirë që ne e kemi mbi supe dhe po çlirohemi hap pas hapi. Air Albania është një nga instrumentat për tu cliruar nga kjo trashëgimi  duke ofruar udhëtime me shërbim dinjitoz dhe me cmime konkurruese. Ashtu sikundër edhe ndërtimi i aerporteve të tjera çon në këtë rrugë.”