AktualitetTë fundit

Vrasja e shqiptarit, zyrtari amerikan: Do e paguaj nga xhepi atë që gjen autorin

Po bëhet një javë nga vrasja e shqiptarit Grei Frashëri në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. 23-vjeçari u gjet i vdekur mbrëmjen e 7 Shtatorit në Bay Ridge të Brooklyn.

Përveç autorëve dhe shkaqeve të kësaj ngjarjeje të rëndë, mister mbetet edhe mënyra sesi u vra Grei.

Teksa fillimisht u raportua se ai ishte qëlluar me armë zjarri, mediat amerikane shkruajnë se tashmë nuk është ende e qartë nëse 23-vjeçari u vdiq nga plumbat, apo nga goditjet me thikë.

Brooklynreporter, duke cituar burime të policisë, shkruan se Grei Frashëri u vra rreth orës 18:00 (me orën lokale) të së premtes në 93rd Street dhe Fourth Avenue, pas një sherri.

“Policia fillimisht tha se Frashëri ishte qëlluar me armë zjarri në qafë dhe kraharor.

Por një raport i publikuar më 12 Shtator nga Daily News, thoshte se shkaku i vdekjes kishte qenë goditja me thikë dhe theksonte se policia kishte menduar se shqiptari ishte vrarë me armë pasi kishin gjetur gëzhoja në vendin e ngjarjes”, shkruan media lokale.

I riu u dërgua me urgjencë në spitalin e Brooklyn, ku dhe ndërroi jetë.

Ndërkohë, autoritetet policore mësohet se kanë mundur që të identifikojnë targat e një automjetit që u largua me shpejtësi nga vendngjarja, ndërsa shprehen pozitivë se shumë shpejt do të kenë të reja mbi autorët e kësaj vrasjeje.

Familja e Greit ka lëshuar një lutje për publikun, në përpjekje për të gjetur vrasësin e tij.

Ndërkohë Policia e New Yrok, të mërkurën vuri në dispozicion 2 mijë e 500 dollarë për këdo që mund të ketë informacione të vlefshme për vrasjen.

Kësaj shumë iu shtuan edhe 1 mijë dollarë të tjera nga një anëtar i Këshillit të New York, Justin Brannan.

“Po shtoj 1 mijë dollarë nga paratë e mia, si shpërblim për çdo informacion që mund të çojë në arrestimin dhe dënimin e personave përgjegjës për vrasjen e Grei Frashërit“, tha Brannan.

“Mesazhi jonë duhet të jetë i qartë si kristali: Kjo lloj dhune nuk do të tolerohet në komunitetin tonë. Nuk më intereson cilat janë rrethanat, nuk do të vrisni dikë në rrugët e lagjes time dhe t’ia hidhni paq. As sot, as kurrë”./javanews

 

Fraksion.com