Vjen në Shqipëri gjiganti italian i call center, Comdata; Drejt finalizimit shitja e IDS, edhe 3 mijë vende të reja pune
Grupi financiar italian, Comdata, një nga kompanitë call center më të rëndësishme në Itali, me një xhiro prej 300 milionë eurosh në vit, ka hyrë në tregun shqiptar, përmes blerjes fillimisht të një prej kompanive të Sestante Holding, që ishin në zotërim të pionierit të call center, Agron Shehaj.
Sestante Holding ka në pronësi në Shqipëri tre kompani: Intercom Data Service (IDS), We Web dhe CC Tirana dhe ka në total 2500 të punësuar, sipas burimeve zyrtare.
Fillimisht është shitur te Comdata, 85% e CC Tirana (transaksioni është aktualisht në shqyrtim nga Autoriteti i Konkurrencës, ndërsa drejt finalizimit është dhe shitja e Intercom Data Service (IDS), sipas burimeve zyrtare nga kompania.
Intercom Data Service (IDS) është një nga operatorët më të mëdhenj call center në vend dhe ka mbi 2 mijë të punësuar. Në bilancin e vitit 2017, kompania ka raportuar rritje totale të të ardhurave me 14%, në 3 miliardë lekë. We Web, e krijuar në maj 2016, me aktivitet në marketingun dixhital, ka raportuar të ardhura prej 315 milionë lekësh në 2017-n, me trefishim me bazë vjetore. Ndërsa CC Tirana është krijuar në prill të këtij viti dhe ka si objekt aktivitetit ofrimin e shërbimeve që lidhen me Call Centre dhe Contact Center dhe aktivitet “Back Office”.
“Hyrja e Comdata është një lajm shumë i mirë për tregun e punës në Shqipëri”, tha për “Monitor”, Agron Shehaj, i cili është themeluesi i Intercom Data Service dhe që prej qershorit të vitit 2017 është i angazhuar si deputet i Partisë Demokratike për Qarkun e Vlorës.
Shehaj, dikur një emigrant në Itali, e hapi IDS në vitin 2005, kur ky sektor sapo po hidhte hapat e para dhe ishte një nga pionierët e call center, sektorit që më pas u zhvillua me shpejtësi, duke u bërë burimi kryesor i punësimit të të rinjve në vend.
“Sektori i Call center është dhe do mbetet një nga më fitimprurësit në Shqipëri”, tha Shehaj. “Partneriteti me Comdata, një kompani lider në Itali në këtë fushë me mbi 300 milionë euro xhiro, sigurisht që është një vlerë e shtuar për kompaninë tonë dhe për tregun shqiptar. Absolutisht që ky transaksion dhe partneritet do të sjellë ndryshime të mëdha në tregun shqiptar dhe për këtë ndihem krenar, për kompanitë që kam drejtuar dhe ekipin tim.
Grupi im tashmë do fokusohet më tepër në fushën e marketingut dixhital dhe kompani të reja në teknologjinë e informacionit për shumë tregje të huaja. Për më shumë, besoj se një e ardhme më e mirë do jetë për sektorin e eksportit të shërbimeve dhe turizmi dhe në këtë pikë duhet promovuar fort ekonomia shqiptare, si një nga motorët e rinj të rritjes së ekonomisë, punësimit dhe mirëqenies së shqiptarëve”.
Mësohet se Comdata do të hapë në Shqipëri fillimisht rreth 3 mijë vende të reja pune dhe nëse ecuria e aktivitetit do të jetë pozitive, mund të arrijë deri në 10 mijë të punësuar.
Comdata
Comdata Group, sipas burimeve të saj zyrtare, është një grup industrial shumëkombësh që vepron në sektorin e shërbimeve të sipërmarrjeve dhe të asistencës ndaj klientëve, në administrimin e procesit të ‘back office’.
Nga viti 2011, grupi ka nisur një proces zgjerimi jashtë kufijve italianë: sot grupi Comdata është i pranishëm në 16 vende, ka një portofol prej më shumë se 550 klientësh dhe shërben në 23 gjuhë, duke punësuar 42.000 punonjës në 78 qendra operative.
Fraksion.com