AktualitetTë fundit

Tjetër incenerator në Fushë Kuqe të Lezhës, këtë herë për mbetjet e rrezikshme

Një projekt i ri për një incenerator që parashikohet të ndërtohet në Fushë Kuqe, bashkia Kurbin, qarku Lezhë është paraqitur pranë autoriteteve shqiptare. Referuar dokumenteve investitor do të jetë V.A.L.E Recycling e cila ka në objekt të aktivitetit të saj edhe riciklimin madje me një vendim të vitit 2013 qeveria e asaj kohe ka autorizuar importin e disa mbetjeve specifike nga Italia për këtë proces.
Referuar dokumentit që shoqëron argumentet e vendosjes së impianteve të incenerimit saktësohet edhe lloji i mbetjeve që do të digjen.

“Projekti në vlerësim do të ndërtoje / instalojë dy incenerator më qëllim asgjësimin e mbetjeve spitalore dhe farmaceutike nëpërmjet procesit të incinerimit / djegies në temperatura të larta. Shoqëria ka eksperiencë në fushën e menaxhimit të mbetjeve. Shtimi i instalimeve krijon mundësinë e shtimit të llojit të mbetjeve të rrezikshme që nuk trajtohen me autoklave nëpërmjet metodave që minimizojnë ndotjen mjedisore.” thuhet në dokument.

Vendi i propozuar për zbatimin e këtij projekti është një ndërtesë ekzistuese e të njëjtës kompani në afërsi të fshatit Gurrëz , njësia administative Fushë Kuqe, në Rrethin e Kurbinit, pjesë administrative e Prefekturës së Lezhës.

Në dokument jepen edhe detajet teknike për projektin ku kompania bën me dije se inceneratori do të jetë i modelit WFS – 50 me kapacitet në cikël 30-50 kg / cikël (realizon 3-6 cikle në ditë) me dimensione 1.8 x 1.15 x 3 metra me peshë 4000 kg dhe tension të pajisjes 380 V/ 220V.

V.A.L.E Recycling është një kompani e regjistruar në QKR në qershor të vitit 2012 dhe që ka një objekt të gjerë aktiviteti duke nisur nga përpunimi dhe riciklimi mbetjeve urbane dhe eksportimi I tyre deri tek dizenfektim te ambienteve të ndryshme ( spitale, qendrave shëndetësore, klinikave, laboratoreve). Kompania si qendër të saj pikërisht adresën ku është bërë me dije se do të ndërtohet edhe inceneratori me dy impiante i cili do të ketë një kapacitet të ulët përpunimi.

Aktualisht kompania ka paraqitur përmbledhjen jo teknike të raportit të vlerësimit të ndikimit në mjedis duke nënvizuar edhe procesin që do të ndiqet për incenerimin, menaxhimi i procesit nga ana e stafit dhe efektet në florë dhe në faunë.

 

Fraksion.com