AktualitetRajoniTë fundit

Ndihmës-Sekretari amerikan Wess Mitchel viziton Shkupin

Ndihmës-Sekretari amerikan i Shtetit Wess Mitchell po qëndron për vizitë në Maqedoni ku po takohet me zyrtarë të lartë shtetërorë, ligjvënës dhe drejtues politik.

Zoti Mitchell shkoi në Shkup për të theksuar mbështetjen për referendumin e 30 shtatorit, i cili vlerësohet si historik, meqë pritet t’i hapë rrugën Maqedonisë drejt integrimeve euro-atlantike.

Zyrtari amerikan ka theksuar mbështetjen e fortë të Shteteve të Bashkuara për anëtarësimin e plotë të Maqedonisë në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Në takimin me ministrin e jashtëm maqedonas, ai ka përshëndetur përpjekjet e Maqedonisë në këtë rrugë e në veçanti politikën konstruktive ndaj fqinjëve dhe arritjen e zgjidhjes për problemin e emrit me Greqinë, sipas një njoftimi të kabinetit të ministrit Dimitrov.

Ndihmës-Sekretari për çështjet e Evropës dhe Euroazisë, Mitchel ka nënvizuar pritjen për një referendum të suksesshëm dhe zbatimin e Marrëveshjes së Prespës (me Greqinë) që synon përmbylljen e procesit kundrejt integrimit në NATO dhe BE.

Wess Mitchell pati takime me ligjvënës në parlamentin e Maqedonisë; ai pritet të takohet edhe me kryetarin e parlamentit Talat Xhaferin, me drejtuesin opozitar, Hristijan Mickovski të VMRO-DPMNE-së dhe me kryeministrin Zoran Zaev, me të cilin do të mbajnë një konferencë shtypi në mbrëmje.

Në kuadër të aktiviteteve diplomatike të komunitetit ndërkombëtar në Shkup, në prag të referendumit, sot pasdite atje do të arrijë edhe përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikat e jashtme dhe fqinjësi, Federica Mogherini.

Ndërkaq, të dielen planifikohet ta vizitojë Shkupin Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, i cili ka shprehur shqetësime për përfshirjen dhe ndikimin e mundshëm rus në referendumin e pritshëm në Maqedoni.

 

Fraksion.com