Financimi i BEI mbetet i kushtëzuar nga operimi i TAP-it në përputhje me standardet mjedisore
Si pjesë e Korridorit Jugor të Gazit, TAP do të krijojë një korridor të ri europian të transmetimit të gazit. Ky diversifikim i rrugëve dhe burimeve të furnizimit me gaz do të rrisë sigurinë e furnizimit me gaz dhe do të zvogëlojë varësinë nga energjia. Ai gjithashtu klasifikohet si një Projekt me Interes të Përbashkët.
Prania e Bankës Europiane të Investimeve siguron që projekti të jetë në përputhje me standardet mjedisore dhe sociale dhe që janë ndërmarrë të gjitha vlerësimet e nevojshme për të siguruar këtë.
Financimi afatgjatë i ofruar nga BEI kontribuon në mënyrë të favorshme për financimin e përgjithshëm dhe ekonominë e projektit. Sipas raportimit të një media të përditshme azere, Trend.az, TAP ka qenë subjekt i një vlerësimi të plotë mjedisor dhe social në përputhje me standardet mjedisore dhe sociale të BEI.
Detajet në lidhje me këtë vlerësim janë përfshirë në Fletoren e të Dhënave të Mjedisit dhe Sociale të BEI-së, por siç citon Trend.az, BEI ka regjistruar një numër ankesash nga individët dhe komunitetet e prekura nga projekti në Itali, Greqi dhe Shqipëri.
“Çdo financim i BEI mbetet i kushtëzuar për ndërtimin dhe funksionimin e TAP në përputhje me standardet mjedisore dhe sociale. Shërbimet tona kanë rishikuar dhe vlerësuar me kujdes shqetësimet e ngritura nga ankuesit dhe kanë ndërmarrë një sërë veprimesh për t’i adresuar këto.”- ka deklaruar Banka.
Në shkurt të këtij viti, BEI ka aprovuar 1.5 mld euro kredi për projektin TAP.
Fraksion.com