Dibranët dhe korçarët më “punëtorët”; Tiranasit dhe vlonjatët më “dembelët”
Teksa papunësia i është kthyer rënies vitet e fundit, në disa qarqe treguesi shfaq diversitet të lartë.
Teksa në qytetin e Dibrës dhe Korçës, forca e punës është drejt shterimit, në Qarkun e Vlorës papunësia është gati sa dyfishi i mesatares kombëtare dhe Tirana e ka papunësinë 4.2 pikë përqindje më të lartë se mesatarja kombëtare.
Sipas të dhënave të INSTAT, papunësia në qarqet e Korçës dhe Dibrës ishte respektivisht, 5.1 dhe 5.3% në tremujorin e dytë, me rënie të theksuar si nga tremujori i parë dhe nga viti i kaluar. Zhvillimet në punësim në dy qarqet duket se e kanë materializuar edhe perceptimin se popullsia e këtyre vendeve është e lidhur pas punës. Këto dy qarqe kanë pasuar edhe rritje PBB-së mbi mesataren e vendit pas krizës ekonomike 2008.
Si në Korçë dhe në Dibër, punëdhënësi më i madh është sektori i bujqësisë. Në Dibër, 59.5% të të punësuarve numërohen në bujqësi, ndërsa në Korçë 54.4% e të punësuarve janë në sektorin bujqësor.
Por në të kundërt, Vlora, Lezha, Tirana dhe Durrësi kanë një papunësi më të lartë se mesatarja e Republikës. Në Vlorë, papunësia në tremujorin e dytë ishte 23.3% ose 11.1 pikë përqindje më i lartë se treguesi në rang vendi. Në qytet e Vlorës dhe Durrësit, ofruesi i punësimit në rreth 50% është sektori i shërbimeve. Duke qenë se puna në këtë sektor është sezonale, papunësia në tremujor të caktuar është më e lartë se në qarqet e tjera të vendit.
Por gjithashtu Tirana vuan nga papunësia e lartë edhe pse rreth 60% e aktiviteteve ekonomike janë të përqendruara në këtë qark. Papunësia në Tiranë shënoi 16.6% në tremujorin e dytë të këtij viti, teksa Tirana dhe Lezha ishin të vetmet qarqe në rang vendi ku papunësia u rrit në tremujorin e dytë, teksa në të gjitha qarqet e tjera treguesi shënoi ulje.
Në terma vjetorë, rritja e punësimit sipas sektorëve kryesorë të ekonomisë është: 7,1% në sektorin e industrisë, 3,4% në sektorin e shërbimeve dhe 1,2% në sektorin e bujqësisë.
Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, në tremujorin e dytë 2018, punësimi për popullsinë 15 vjeç e lart pësoi një rritje prej 0,1%. Punësimi shënoi rritje në sektorin e shërbimeve me 0,3% dhe në sektorin e industrisë me 0,1%, ndërsa sektori bujqësor mbetet në të njëjtin nivel./Monitor
Fraksion.com