Referendumi për emrin: Sekretari amerikan i Mbrojtjes viziton Shkupin
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, do të shkojë të dielën në Maqedoni për të treguar mbështetjen e SHBA-së ndaj Maqedonisë lidhur me integrimin e saj në NATO dhe zotimin e vazhdueshëm amerikan për paqe dhe siguri në rajon. Sipas një njoftimi të lëshuar nga Pentagoni, Sekretari Mattis do të ketë takim me Kryeministrin maqedonas Zoran Zaev, me të cilin do të flasin pastaj për mjetet e informimit.
Sekretari Mattis i ka thënë agjencisë së lajmeve Reuters, se ishte i shqetësuar për shkak të përfshirjes së mundshme ruse në çështjen e referendumit të pritshëm në Maqedoni. “Do të shkoj t’i vizitoj miqtë tanë në Maqedoni dhe në mënyrë të qartë do të bëj me dije se SHBA-ja e përkrah popullin e Maqedonisë”, – është shprehur zyrtari i lartë amerikan.
Ai ka shtuar më tej se Rusia edhe më parë është përfshirë në raste të tilla, që nga Estonia e deri tek Shtetet e Bashkuara, nga Ukraina e deri në Maqedoni.
Vizita e zotit Mattis do të bëhet pas asaj të një tjetër zyrtari të lartë amerikan në Shkup, Wess Mitchel-it, Ndihmës-Sekretar i Shtetit, i cili të enjten është në plan të shkojë atje, për të shprehur mbështetjen amerikane për referendumin e 30 shtatorit, ku duhet të vendoset për emrin e ri të Maqedonisë.
Referendumi shikohet si historik. Një rezultat pozitiv do t’ia hapte rrugën vendit ballkanik për t’u bërë anëtari i tridhjetë i Aleancës Veriatlantike, NATO-s dhe do ta përshpejtonte procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.
Në këtë kuadër, një numër zyrtarësh të lartë perëndimorë kanë udhëtuar ditët e fundit në kryeqytetin e Maqedonisë, për të dhënë mbështetje dhe për të bindur kundërshtarët e referendumit se ndryshimi i emrit të Maqedonisë është mundësia e vetme që ky vend të bëhet pjesë e familjes së madhe euro-atlantike.
Kancelarja Angela Merkel ishte të shtunen e kaluar. Një ditë para saj ishte Kancelari austriak, Sebastian Kurz. Po ashtu një numër ministrash të jashtëm të vendeve të BE-së.
Edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi qëndroi në Shkup të mërkuren, prej nga u bëri thirrje qytetarëve të këtij vendi që të dalin dhe të votojnë pro referendumit të 30 shtatorit.
Maqedonia ka marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE qysh në dhjetor të 2005-s, por bllokimi që i shkaktonte Greqia për shkak të problemit të emrit dhe problemet e shpeshta të brendshme, kanë zvarritur proceset integruese të Shkupit drejt Brukselit.
Marrëveshja e Prespës midis Shkupit dhe Athinës për ndryshimin e emrit të Republikës së Maqedonisë në Republika e Maqedonisë së Veriut, vlerësohet nga analistët si mundësia më e mirë e mundshme për t’ia hapur rrugën Maqedonisë drejt proceseve integruese.
Fraksion.com