Kërkohet largimi për kreun e AMA
Katër anëtarë të AMA-s kanë kërkuar shkakrimin e kreut të këtij institucioni Gentian Sala, pas situatës së krijuar me fikjen e sinjalit analogë për transmetuesit televizivë.
Ata i janë drejtuar Komisionit Kuvendor të Mediave me një letër ku kërkojnë nisjen e procedurave për shkarkimin e Salës.
Bëhet fjalë për anëtarët Sami Neza, Suela Musta, Zylyftar Bregu dhe Agron Gjekmarkaj.
Në mbledhjen e AMA-s ka pasur debate të ashpra mes këtyre anëtarëve dhe kreut të Autoritetit.
Në argumentin e tyre ku kërkojnë shkakrimin e Salës, anëtarët e AMA-s pretendojnë se kryetari Sala nuk është konsultuar me bordin e institucionit për fikjen e sinjalit analog në Tiranë e Durrës dy ditë më parë.
Sipas tyre, vendimi për fikjen e sinjalit analog sjell cënimin e të drejtës kushtetuese të qytetarëve për informim.
Por nga ana tjetër, kreu i AMA-s deklaroi për News24 se deklarata nuk është korrekte.
“Në bord folën për shkeljen e të drejtës kushtetuese, por argumenti për mungesë informimi nuk është korrekt” – tha ai.
Sipas Salajt, kthimi i sinjalit erdhi pas ankesave të qytetarëve dhe radhëve të gjata që u shkaktuan në dyqanet e tregtimit të dekoderave.
Fraksion.com