AktualitetNATO/BETë fundit

Viktor Orban nën presion para votimit në Parlamentin Europian

Do të procedojë BE kundër Hungarisë? Para votimit në Parlamentin Europian, kryeministri hungarez, Vikor Orban u përgjigjet pyetjeve të deputetëve.

    
Në sfond të debatit në Parlamentin Europian të martën (11.09)qëndron një raport kritik i deputetes së Gjelbër, Judith Sargentini, që kritikon “një kërcënim sistematik të demokracisë, shtetit ligjor dhe të drejtave themelore në Hungari.” Pas një seance pyetjesh të martën në Parlamentin Europian me kryeministrin, Viktor Orban, parlamenti vendos të mërkurën, nëse kundër Hungarisë, ashtu si kundër Polonisë në fillim, do të hapet një procedurë ligjore për nenin 7 të Marrëveshjeve të BE. Në rastin më ekstrem, Hungaria do të humbiste pas një procedure të tillë të drejtën e votës në Këshillin e BE.

Rëndësia e votave të partive popullore

Se si do të jetë rezultati i këtij vendimi varet shumë nga votat e partisë popullore europiane, ku bëjnë pjesë edhe deputetë të partisë nacionalkonservatore, Fidesz. Sipas të dhënave të grupit parlamentar, deputetët do të konsultohen të martën për Hungarinë.

Të Gjelbrit në Parlamentin Europian mbështetën një procedurë sanksionuese kundër Hungarisë. Edhe nga vetë partitë popullore europiane ka shumë kritika për deficitet demokratike të Hungarisë. Ska Keller, eurodeputete e Të Gjelbërve dhe kryetare e grupit parlamentar u shpreh se “ne do të shohim me shumë vëmendje, se kush voton, dhe se si do të veprojë në votimin kundër Orbanit. Nuk e kuptoj, si mund të mbështesim dikë, që i mbetet besnik Orbanit, megjithëse ai vë në pikëpytje demokracinë dhe lirinë. Votimi të mërkurën është orientues.”

Weber kërkon ndryshim kursi të Orbanit

Europolitikani kristiansocial, Manfred Weber i CSU-së që kërkon të zgjidhet president i Komisionit Europian në vitin e ardhshëm, tha në televizionin gjerman, ZDF, se “nëse nuk ka lëvizje në këtë çështje do të bëhet më vështirë për qeverinë hungareze.” Ai pret që Orban të “afrohet me partnerët europiane dhe të bëjë lëshime.”

Ndërkohë zëvendëskancelari austriak nga partia populiste djathtiste, FPÖ, Heinz-Christian Strache e ftoi Viktor Orban t’i bashkohet një blloku të përbashkët në BE, FPÖ në Parlamentin Europian bën pesë në grupin parlamentar të populistëve të djathtë, “Europa e kombeve dhe lirisë (ENF).”/DW

 

Fraksion.com