Nga 17 shtatori, kufizim qarkullimit të furgonëve e kamionëve
Nga data 17 shtator, me fillimin e vitit të ri shkollor, rikthehet edhe kufizimi i qarkullimit për mjetet që kryejnë furnizimin e dyqaneve në mëngjes. Kjo masë e Bashkisë së Tiranës ka për qëllim të ulë fluksin e trafikut në orët kur nxënësit e Tiranës shkojnë në shkollë, si dhe synon që fëmijët të mos humbin orën e parë të mësimit.
Në një takim që zhvilloi me drejtorët e shkollave 9-vjeçare dhe gjimnazeve të Tiranës, kreu i Bashkisë Erion Veliaj diskutoi mbi përgatitjet e vitit të ri shkollor. Ai theksoi se kufizimi i mjeteve të furnizimit në fashën orare 7:00-9:00 bëhet për t’i ardhur në ndihmë prindërve dhe nxënësve, që ata të mbërrijnë në kohë në shkollë.
“Do të rifusim në veprim regjimin e ri të trafikut, me orare për të shmangur qarkullimin e kamionëve dhe furgonëve në kohën kur nxënësit shkojnë në shkollë; po ashtu, edhe institucionet të mos shkojnë të gjitha në orën 8:00 në punë. E kam thënë, nuk mund të vlejnë patatinat dhe çamçakizat, më shumë se fëmijët. Të shkojnë njëherë fëmijët në shkolla, pastaj furgonët mund të bëjnë dërgesat e tyre, para orës 7.00 ose pas orës 9.00, që të mos kemi kaos në trafik”, tha Veliaj.
Ai u ndal edhe te puna që ka bërë Bashkia e Tiranës për infrastrukturën shkollore, dhe tek investimet që pritet të fillojnë.
Fraksion.com