Vettingu në Politikë, Balla: SPAK, hetim edhe familjarëve të politikanëve
Për kreun e grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, propozimi i kryedemokratit Lulzim Basha për vetting në politikë, është thjesht propagandë politike, e destinuar të dështojë.
“Propozimi i Bashës është i dështuar dhe vetë propagandë politike. Ky propozim është si t’i zësh rrugën me ferra reformës në drejtësi. Ne jemi gati për vetting të vërtetë dhe reforma në drejtësi e garanton 100 % atë” – mësohet të jetë shprehur Balla në mbledhjen e grupit parlamentar.
Sipas Ballës, Byroja Kombëtare e hetimit dhe SPAK, garanton plotësisht vettingun e politikanëve, pasi thekson ai, hetimi i tyre nuk ndalet vetëm tek politikanët por edhe tek familjarët e tyre.
“Byroja Kombëtare dhe SPAK garanton plotësisht vettingun e politikanëve, nuk ndalen vetëm tek politikanët por edhe tek familjarët. Propozimi i Bashës shmang hetimin e familjarëve. Gati për çdo propozim që s’prek reformën në drejtësi dhe vijimin e vetingut për gjyqtarët e prokurorët”, tha Balla.
PD depozitoi në datë 7 shtator në Parlament draftin që synon ndryshimet kushtetuese për vettingun për politikanët, por jo për familjarët e tyre. Rama u përgjigj duke thënë se është në dakordësi të plotë me këtë nismë të PD-së, por me kusht që ky Vetting, të përfshijë edhe pasuritë e anëtarëve të tjerë të familjes së një politikani, duke u kthyer në një “sitë” të njëjtë me atë të Vetting-ut në sistemin gjyqësor.
Fraksion.com