AktualitetBota+Të fundit

SHBA, qëndrim i ashpër ndaj Gjykatës Ndërkombëtare Penale

Administrata Trump pritet të kërcënojë me sanksione nëse Gjykata Ndërkombëtare Penale në Hagë ndërmerr hetime mbi akuza për krime lufte nga ushtria apopersoneli i inteligjencës amerikane në Afganistan.

Në një fjalim që do të mbajë sot para Shoqatës Konservatore Federaliste në Uashington, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare John Bolton pritet të mbajë një qëndrim të ashpër ndaj gjykatës. Në një kopje të fjalimit të shpërndarë paraprakisht thuhet se Gjykata Ndërkombëtare Penale nuk duhet të ketë juridiksion mbi persona nga Shtetet e Bashkuara apo vende të tjera që nuk e kanë ratifikuar traktatin për krijimin e gjykatës.

Gjykata Ndërkombëtare Penale filloi punën në vitin 2002 dhe u krijua për të qenë e përhershme dhe e pavarur nga qeveritë në hetimet e saj për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid.

Në tekstin e fjalimit të zotit Bolton thuhet se Shtetet e Bashkuara nuk do të bashkëpunojnë me Gjykatën dhe nëse ajo do të hetojë veprimet e SHBA në Afganistan atëherë administrata e Presidentit Trump do të shqyrtojë masa të tilla si ndalimin e udhëtimeve, ngrirjen e pasurive dhe ndjekjen e mundshme ligjore në SHBA për gjykatësit apo prokurorët e përfshirë në hetime të tilla.

 

Fraksion.com