Pse teknologjia favorizon tiraninë
Nga Yuval Noah Harari
Shfaqja e demokracive liberale, lidhet me idealet e lirisë dhe barazisë, që mund të duken në pamje të parë të vetëkuptueshme dhe të pakthyeshme. Por këto ideale, janë shumë më të brishta nga sa besojmë ne. Suksesi i tyre në shekullin XX, varej nga kushtet teknologjike unike, që mund të dëshmohen si kalimtare.
Në dekadën e dytë të shekullit XXI, liberalizmi ka filluar ta humbasë besueshmërinë e tij. Shkaqet e këtij ndryshimi politik janë komplekse, por duket se janë të ndërthurura me zhvillimet aktuale teknologjike. Teknologjia që favorizon demokracinë po ndryshon, dhe mënyra se si zhvillohet inteligjenca artificiale, mund të ndryshojë më tej.
Në kushte të tilla, demokracia liberale dhe ekonomia e tregut të lirë mund të bëhen të vjetruara.
Njerëzit e zakonshëm, nuk mund të kuptojnë dot në asnjë detaj inteligjencën artificiale dhe bioteknologjinë, por ata mund ta ndiejnë se e ardhmja po i tejkalon.
Në shekullin XX-të, masat u revoltuan kundër shfrytëzimit, dhe synuan ta përkthejnë rolin e tyre jetësor në ekonomi, në pushtet politik. Tanimë masat kanë frikë se mos janë të parëndësishme, dhe po synojnë të përdorin me shpejtësi fuqinë e mbetur politike, para se të jetë tepër vonë. Brexit dhe rritja e Donald Trump, mund të shfaqin një trajektore të kundërt me atë të revolucioneve tradicionale socialiste. Ndoshta në shekullin XXI, revoltat populiste nuk do të organizohen kundër një elite ekonomike që shfrytëzon njerëzit, por kundër një elite ekonomike që nuk ka më nevojë për ta.
Por kjo mund të jetë një betejë e humbur. Revolucionet në teknologjinë e informacionit dhe në bioteknologji, janë ende në fazën e tyre të hershme, dhe shkalla në të cilën ato janë përgjegjëse për krizën aktuale të liberalizmit është e diskutueshme. Sidoqoftë, është e padiskutueshme që në dekadat e ardhshme, ato do të përballen ashpër me njerëzimin.
Frika nga makinat që i nxjerrin njerëzit nga tregu i punës, nuk është një gjë e re, dhe në të kaluarën një frikë e tillë ka rezultuar e pabazë. Por inteligjenca artificiale, është e ndryshme nga makinat e vjetra. Në të kaluarën, makinat garonin me njerëzit kryesisht mbi aftësitë manuale. Tani ato kanë filluar të konkurrojnë me ne mbi aftësitë njohëse.
Dhe ne nuk dimë për asnjë lloj aftësie të tretë – përtej manuales dhe konjitives – në të cilën njerëzit gjithmonë do të kenë një avantazh. Të paktën edhe për disa dekada të tëra, inteligjenca njerëzore, ka gjasa të tejkalojë inteligjencën kompjuterike në fusha të shumta.
Rrjedhimisht, ndërsa kompjuterat marrin përsipër gjithnjë e më shumë punë njohëse, për njerëzit do të vazhdojnë të shfaqen punë të reja krijuese. Bota e shahut, shërben si një shembull se ku mund të shkojnë gjërat. Për disa vite, pasi kompjuteri i IBM “Deep Blue” mundi Geri Kasparovin në vitin 1997, lojtarët njerëz ende lulëzuan; Inteligjenca Artificiale u përdor për të trajnuar aftësitë njerëzore, dhe ekipet e përbëra nga njerëz dhe kompjutera, u dëshmuan më superiorë se sa kompjuterat që luanin vetëm.
Megjithatë, vitet e fundit, kompjuterët janë bërë aq të aftë në lojën e shahut, sa që bashkëpunëtorët e tyre njerëzorë kanë humbur vlerën e tyre, dhe së shpejti mund të bëhen krejtësisht të parëndësishëm. Ajo që po ndodh sot me shahun, mund të ndodhë edhe me bashkëpunimin e njeriut me kompjuterat në fushën e rendit publik, mjekësi, sistemin bankar dhe shumë fusha të tjera.
Dhe ndërsa shumë njerëz e humbasin vlerën e tyre ekonomike, shumë shpejt mund të humbasin edhe fuqinë e tyre politike. Të njëjtat teknologji që mund t’i bëjnë të parëndësishëm ekonomikisht miliarda njerëz, mund ta bëjnë më të lehtë monitorimin dhe kontrollin e tyre.
AI frikëson shumë njerëz, pasi ata nuk besojnë se ajo mund të mbetet gjithmonë e bindur. Por s’ka ndonjë asnjë arsye të veçantë për të besuar se AI do të zhvillojë vetëdijen, sa më shumë që ajo bëhet inteligjente. Në vend të kësaj duhet të kemi frikë nga AI, sepse ndoshta do t’i bindemi gjithmonë padronëve të saj njerëzorë, dhe nuk do të rebelohemi dot kurrë ndaj tyre.
Shihni mbikëqyrjen. Shumë vende në mbarë botën, duke përfshirë edhe disa demokraci, janë të angazhuara me ndërtimin e sistemeve të pashembullta të mbikëqyrjes. Për shembull, Izraeli është një lider në fushën e teknologjisë së mbikqyrjes, dhe ka ndërtuar në Bregun Perëndimor modelin e një regjimi të mbikqyrjes totale.
Tashmë, sa herë që palestinezët bëjnë një telefonatë, postojnë diçka në Facebook, apo udhëtojnë nga një qytet në tjetrin, ka të ngjarë të monitorohen nga mikrofona, kamera, dronë ose spiunë izraelitë. Algoritmet analizojnë të dhënat e mbledhura, duke i ndihmuar forcat izraelite të sigurisë të identifikojnë dhe neutralizojnë ata që konsiderohen si kërcënime të mundshme.
Palestinezët mund të administrojnë disa qytete dhe fshatra në Bregun Perëndimor, por izraelitët komandojnë qiellin, valët ajrore dhe hapësirën kibernetike. Prandaj, shumë pak ushtarë izraelitë kontrollojnë në mënyrë efektive afro 2.5 milionë palestinezë, që jetojnë në Bregun Perëndimor.
Ajo që palestinezët po përjetojnë sot në Bregun Perëndimor, mund të jetë vetëm një shembull fillestar i asaj që miliarda njerëz do të përjetojnë përfundimisht në të gjithë planetin.
Në fund të shekullit XX-të, demokracitë i tejkalonin zakonisht diktaturat, pasi ishin shumë më të afta në përpunimin e informacionit. Ne kemi tendencë të mendojmë për konfliktin midis demokracisë dhe diktaturës si një konflikt midis dy sistemeve të ndryshme etike, por në fakt është një konflikt midis dy sistemeve të ndryshme të përpunimit të të dhënave.
Demokracia e shpërndan fuqinë për të përpunuar informacion dhe për të marrë vendime, në mesin e shumë njerëzve dhe institucioneve, ndërsa diktatura e përqendron informacionin dhe fuqinë në një vend të vetëm. Megjithatë, shumë shpejt Inteligjenca Artificiale, mund të anojë peshoren në drejtimin e kundërt.
Natyrisht, do të vazhdojnë të shfaqen teknologji të reja, dhe disa prej tyre mund të inkurajojnë shpërndarjen, dhe jo përqendrimin e informacionit dhe pushtetit. Teknologjia “Blockchain”
dhe kripto-monedhave, cilësohet aktualisht si një kundërpeshë e mundshme ndaj pushtetit të centralizuar.
Por ajo është ende në fazën e vet embrionale, dhe nuk e dimë nëse mund të kundër-balancojë tendencat centralizuese të Inteligjencës Artificiale. Mos harroni se edhe interneti në fillimet e tij, u promovua si një “ilaç“ libertarian, që do t’i mbante njerëzit të lirë nga të gjitha sistemet e centralizuara – por tashmë është i gatshëm ta bëjë më të fuqishëm se kurrë autoritetin e centralizuar.
Çfarë duhet të bëjmë? Si fillim, duhet të vendosim një prioritet shumë më të lartë në kuptimin e mekanizmit se si funksionon mendja njerëzore, veçanërisht se si mund të kultivohet mençuria dhe dhembshuria jonë. Nëse investojmë shumë mbi AI, dhe shumë pak në zhvillimin e mendjes njerëzore, inteligjenca artificiale shumë e sofistikuar e kompjuterëve, mund të shërbejë vetëm për të fuqizuar budallallëkun natyror të njerëzve, dhe për të ushqyer impulset tona më të këqija, mes tyre lakminë dhe urrejtjen.
Për të shmangur një rezultat të tillë, për çdo dollar dhe çdo minutë që investojmë në përmirësimin e AI, do të ishte e mençur të investonim nga një dollar dhe nga një minutë në eksplorimin dhe zhvillimin e vetëdijes njerëzore. Ndërkohë më urgjentisht, duhet të rregullojmë pronësinë e të dhënave.
Në kohërat e lashta, pasuria më e rëndësishme ishte toka; në epokën moderne, makinat dhe fabrikat; ndërsa në shekullin XXI-të, të dhënat, dhe politika do të jetë një luftë për të kontrolluar rrjedhën e të dhënave. Gara për të grumbulluar të dhënat ka filluar, dhe kryesohet nga gjigandët e teknologjisë si Google dhe Facebook në SHBA dhe Baidu dhe Tencent në Kinë.
Deri më tani, shumë prej këtyre kompanive kanë vepruar si “tregtarët e vëmendjes” – ato tërheqin vëmendjen tone, duke na dhënë informacione, shërbime dhe argëtim të lirë, dhe pastaj e rikthejnë vëmendjen tonë tek reklamuesit.
Megjithatë, biznesi i tyre i vërtetë nuk është vetëm shitja e reklamave. Përkundrazi, duke tërhequr vëmendjen tonë, ato arrijnë të grumbullojnë sasi të mëdha të të dhënave mbi ne, të cilat janë me vlerë më shumë se sa çdo e ardhur nga reklamat. Ne nuk jemi klientët, por produkti i tyre. Njerëzit e zakonshëm, do ta kenë shumë të vështirë t’i rezistojnë këtij procesi.
Shënim: Ky artikull është përshtatur nga libri i Juval Noah Hararit, “21 Leksione për shekullin XXI-të”./Me shkurtime The Atlantic, bota.al
Fraksion.com